LDK vazhdon të insistojë se askush nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog pa mandatin e Kuvendit dhe kërkon që kjo çështje të mandatohet në Kuvend.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë për media tha se është absurde të ulesh në dialog me Serbinë, derisa kjo e fundit punon kundër njohjeve nga shtete që tashmë kanë njohur Kosovën.
“S’mund të flasësh për normalizimin e marrëdhënieve me një vend, i cili tenton që kjo pavarësi dhe është njohur nga 115 shtete. Si LDK vlerësojmë nuk është çështje që Vuçiq të vë kushte për dialogun, se çfarë duhet të ndryshojë Kosova në qëndrimet e saj, por është Kosova është që të kërkojmë që të mos vazhdojë dialogun derisa Serbia nuk e ndërpret fushatën kundër njohjes së Kosovës”, tha ai.
Mustafa ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga vendet e BE-së që të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë në Evropë.
“Ne nuk guxojmë ta fajësojmë BE-në për procesin e liberalizimit të vizave, por ne duhet t’i sigurojmë shtetet e BE-së se Kosova do të përmbushë të gjitha kriteret dhe se Kosova do të luftojë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe assesi që perspektiva të llogaritet në vendet e BE-së ose ndryshimin e regjimit të vizave”, tha ai.
I pari i LDK-së ka kërkuar më tepër punë në zbatimin e MSA, duke përmendur ngecjet në zbatimin e agjendave evropiane dhe ndërmarrjet e veprimeve të qeverisë, të cilat sipas tij janë në kundërshtim me MSA-në.
Mustafa tha se qeveria po vihet mbi Kuvendin, duke përmendur rastin e shkarkimit të bordit të agjencive të pavarura, gjë që nuk ka qenë në kompetencë të ekzekutivit, ndërsa theksoi edhe rastin e pronave të AKP-së, nga qeveria njëanshëm i janë dhënë në menaxhim komunave me shumicë serbe.
“Kjo qeveri duhet të shkojë, sepse po bën veprime të gabueshme dhe nuk e përfaqëson më shumicën në Kuvend, e as me letra, se edhe me letra ka mbetur qeveri e pakicës. Qeveria vetë të ndërmarrë hapa dhe të shkohet në zgjedhje të reja dhe këto vendime t’i marrim me një shumicë të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Ai ka folur edhe për iniciativën e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.
“Po flitet shumë për këtë iniciativë. Ne kemi marrë iniciativën si LDK që të përgatisim mocionin e mosbesimit të Qeverisë. Ne po ashtu e dimë që qeveria që unë e kam drejtuar është rrëzuar me Listën Serbe dhe mocioni është nënshkruar edhe nga njerëz të Listës Serbe, sepse si duket zoti Veseli, i cili publikisht ka deklaruar se ka organizuar rrëzimin e qeverisë, ka dashur të organizojë një vëllazërim-bashkim për rrëzimin e asaj qeverie”, tha ai.
I pari i LDK-së ka folur edhe rreth takimit të presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij rus Vladimir Putin.
“Kemi një president të cilit nuk mund t’i zëmë besë se as çka ka folur atje, as çka nuk ka folur në Paris, pasi ndryshe deklarohet këtu e ndryshe atje. Është mirë që presidenti Putin është deklaruar në mënyrë të tillë, por unë jam i bindur se nuk mund të arrijmë marrëveshjen me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh e as për njohje reciproke pa angazhim të fuqishëm të SHBA-së”, u shpreh ai.
Mustafa ka folur edhe rreth mocionit të mos besimit në kohën kur ai ishte në krye të qeverisë dhe marrëveshjen me partnerin e atëhershëm – PDK-në, duke thënë se nuk ishte LDK-ja ajo që ia mundësoi Thaçit të bëhet president, por këtë ia kanë mundësuar votat që ka marrë ai dhe PDK-ja në zgjedhjet e lira dhe demokratike.