Ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti amerikan Donald Trump përgatiten për t’u takuar në kuadrin e samitit të G20-tës në Buenos Aires, analistë dhe ligjvënës reflektojnë mbi ato që mund të arrihen përmes dialogut mes dy udhëheqësve.
Ata janë takuar disa herë më parë: gjatë punimeve të G20-tës vitin e kaluar në Hamburg, në një samit zyrtar në Helsinki në muajin korrik, si dhe më rishtazi në Paris.
Zyrtarët rusë shpresojnë që Moska dhe Uashingtoni të trajtojnë krizat e shumta ndërkombëtare.
“Ja kemi nevojën njëri-tjetrit dhe shpresoj të mos varemi më nga zhvillimet e brendshme, por të fillojmë të reagojmë ndaj atyre po ndodhin vërtet në botë”, thotë Konstantin Kosachev, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Rusisë.
Fyodor Lukanyov, kreu i Këshillit për Politikat e Jashtme dhe të Mbrojtjes, një organizatë ekspertësh me seli në Moskë, thotë se zoti Putin e konsideron të nevojshme të ruajë dialogun me Presidentin Trump me shpresën se skena politike do të ndryshojë duke ia lejuar më në fund atij normalizimin e marrëdhënieve me Moskën.
“Sa më i fortë Trumpi, teorikisht aq më të mira mundësitë për diskutime me Rusinë, pasi ai është ndoshta i vetmi aktor kryesor në politikën amerikane që e dëshiron këtë lloj diskutimi”, thotë zoti Lukanyov.
Putini dëshiron heqjen e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për aneksimin nga Rusia të Krimesë, për mbështetjen që ajo vazhdon t’u japë rebelëve separatistë në Ukrainën lindore dhe veprime të tjera të ndërmarra nga Moska.
Tensionet janë të rritura mes akuzave për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane të 2016-tës, si dhe ndërhyrjet në Siri dhe Ukrainë. Incidenti gjatë fundjavës, kur anijet ruse goditën anijet ukrainase në Detin e Zi, rizgjuan thirrjet e Perëndimit për sanksione të tjera ndaj Moskës.
Një tjetër temë delikate është kontrolli i armëve. Putini ka kritikuar synimin e shprehur nga Presidenti Trump për t’u tërhequr nga marrëveshje e armatimit bërthamor me rreze të mesme të vitit 1987, për shkak të shkeljeve të Rusisë.
Ish-ambasadori amerikan në Moskë, Alexander Vershbow, thotë se Presidenti Trump duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë.
“Ai ndonjëherë përvesh mëngët kur duhet kritikuar Rusia për sjelljen e saj të keqe dhe agresionin në Ukrainë. Unë mendoj se ai duhet të flasë me prerazi me Putinin dhe të vendosë rregullat bazë që i nevojiten një marrëdhënieje më të mirë; këto do të jepnin më shumë rezultat se sa vetëm t’i bëjë qejfin Putinit”, thotë zoti Vershbow.
Pas samitit me Putinin në muajin korrik, Presidenti Trump u kritikua gjerësisht pasi nuk denoncoi publikisht ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe u duk se pranoi variantin e Putinit që e mohonte një aktiviteti të tillë. Për pasojë, Rusisë iu vendosën sanksione të reja dhe marrëdhëniet u përkeqësuan më tej.