Trupi i ish-presidentit të SHBA-së Xhorxh H.W. Bush do të vendoset për homazhe në ndërtesën e Kongresit duke filluar të hënën mbrëma ku amerikanët do të nderojnë jetën e presidentit të 41-të të vendit.
Ndërtesa do të jetë e hapur për personalitete dhe publikun që do të tregojnë respektin e tyre deri të mërkurën, dhe vizitorët do të kalojnë para arkivolit të ish-presidentit Bush. Ai vdiq në Teksas, në shtëpinë e tij, të premten mbrëma në moshën 94 vjeçare.
George H.W. Bush, i cili shërbeu një mandat në Shtëpinë e Bardhë 1989-1993, do të nderohet me një funeral shtetëror të mërkurën në Katedralen Kombëtare në Uashington, nga ku do të niset për varrim të enjten në truallin e bibliotekës së tij presidenciale në Teksas.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të shtunën se presidenti Donald Trump do të marrë pjesë në funeral. Në një koment në Twitter, udhëheqësi amerikan tha: “Presidenti George H.W. Bush pati një jetë të gjatë, të suksesshme dhe të bukur.
Sa herë që isha në praninë e tij, pashë gëzimin e tij absolut për jetën dhe krenarinë e vërtetë për familjen e tij. Ai ishte një njeri vërtet i mrekullueshëm dhe të gjithë do ta ndjejnë mungesën e tij! ”
Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha në një deklaratë se e mërkura është caktuar si një ditë zie kombëtare dhe se flamujt e Shtëpisë së Bardhë tashmë janë ulur në gjysmë shtize për të nderuar ish-presidentin George HW Bush.
Bursa e Nju Jorkut njoftoi se do të mbyllet të mërkurën për nder të ish-presidentit Bush. Funeralet shtetërore mbahen tradicionalisht për presidentët e tanishëm ose të mëparshëm dhe zyrtarë të tjerë të caktuar nga presidenti.
Funerali shtetëror është një ngjarje dhjetë-ditore dhe përbëhet nga tri faza: ceremonitë brenda shtetit ku zyrtari ka banuar, ceremonitë brenda Uashingtonit, dhe ceremonitë në shtetin në të cilin individi ka zgjedhur për t’u varrosur/VOA/