Fuqia e reagimit qytetar, Macron mendon vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Diel, 02 December 2018 20:42

Presidenti francez Emmanuel Macron është duke marrë në konsideratë vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme pas një dite protestash të dhunshme anti-qeveritare në Paris.

Ajo që nisi si indinjate kundër çmimit të karburantit, tani është shndërruar në zemërim kundër kostove të larta të jetesës. Disa prej demonstruesve mbetën paqësore, por të tjerë u përleshën me policinë që vuri në pranga mbi 400 vetë. Më shumë se 100 persona mbetën të plagosur, 23 prej tyre, pjesëtarë të forcave të rendit.

Macron u kthye mëngjesin e sotëm nga samiti i G20-tës në Argjentinë dhe shkoi drejt e tek harku i triumfit për të vlerësuar dëmet. Zëdhënësi i qeverisë Benjamin Griveaux tha për një radio lokale se shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme është një prej opsioneve në tryezë.

“Duhet të mendojmë se çfarë masash nevojiten të merren në mënyrë që incidente të tilla të mos ndodhin më”, ishte komenti i tij.

Jelekët e verdhë duken të vendosur ta vazhdojnë aksionin e tyre, të nxitur nga rritja e çmimit te karburantit.

Macron thotë se arsyeja që e shtyu drejt një vendimi të tillë ishte mjedisore, por demonstruesit konsiderojnë se kreu i shtetit është i shkeputur nga realiteti. Lëvizja e protestuesve nuk ka një lidership të identifikueshëm dhe ka marrë shumë hov nga mediat sociale, duke përfshirë një gamë të gjerë pjesëmarrësish që nga anarkistët e ekstremit të majtë deri tek nacionalistet e atij të djathtë, dhe të moderuarit në mes.

Në protestën e parë mbarëkombëtare të mbajtur në 17 Nëntor llogaritet të kenë marrë pjesë gati 300,000 vetë.

Login to post comments