Papa Françesku, siç bën çdo vit, shkoi në Manastirin "Mater Ecclesiae" në Vatikan të premten, rreth orës 6.15, për të përshëndetur e për t’i uruar Krishtlindjen Papës së nderit Benediktit XVI. Njoftimin e dha Zyra e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Edhe në tetorin e kaluar, Papa Françesku dhe Papa Benedikti XVI u takuan gjithmonë në Manastirin, në zemër të Kopshteve të Vatikanit, në pragun e kanonizimit të Papës Palit VI, imzot Oscar Romeros dhe të pesë të lumturve të tjerë.
Kujtojmë se kuvendi “Mater Ecclesiae”, i ngritur me dëshirën e Papës Shën Gjon Pali II para 20 vjetësh, ka qenë seli e udhërave rregulltare më të njohura të klauzurës, duke filluar nga murgeshat klarise, tek karmelitanet e zbathura, benedektinet e, së fundi, vizitandinet, deri në fillim të vitit 2013.
E pikërisht më 2 maj të vitit 2013 Benedikti XVI vendosi të banonte në këtë kuvend a manastir si Papë Nderi, pasi pati dhënë dorëheqjen nga papnia, duke abdikuar, për të mirën e Kishës e të Popullit të Zotit.
Më 28 shkurtin e vitit 2013, Benedikti XVI, u largua nga Vatikani, duke shënuar fillimin e Selisë Vakante. I pati përshëndetur besimtarët, që e pritën në Kastelgandolfo, duke e quajtur veten “shtegtar i thjeshtë”, në etapën e fundit të jetës, por gjithnjë pranë Kishës me zemër, dashuri e lutje.
Më 23 mars 2013, u takua me Papën Françesku, i sapozgjedhur në fronin e Shën Pjetrit: një takim historik mes “vëllezërish” .