Katër nga ministrat e lartë të qeverisë britanike të drejtuar nga Theresa May, i kanë kërkuar asaj të ndalë përdorimin e kërcënimit me një Brexit pa marrëveshje, në negociatat e divorcit me Bashkimin Evropian, njoftoi të hënën gazeta The Guardian.
Kryeministrja britanike dhe Bashkimi Europian arritën një marrëveshje në muajin Nëntor të vitit të kaluar, por drafti u rrëzua nga parlamenti britanik, që kundërshtoi ashpër çështjen e “back stop”-it irlandez.
May ka marrë një tjetër votëbesim nga qeveria britanike, por këtë herë me kërkesën për të rinegociuar marrëveshjen e Brexit-it, ndërsa palët janë në luftë me kohën, pasi Britania duhet të lërë BE-në më 29 Mars.
Kryeministrja britanike ishte para disa ditësh në Bruksel, duke u parashtruar kërkesën e saj për ndryshim të marrëveshjes, liderëve të unionit europian, por do të rikthehet atje sërish të mërkurën.