Juan Guaido kthehet në Venezuelë pavarësisht rrezikut për arrestim

Hënë, 04 Mars 2019 19:21

Udhëheqësi i përkohshëm i vetë-deklaruar i Venezuelës Juan Guaido ka mbërritur në aeroportin kryesor të kryeqytetit të vendit, Caracas,ku rrezikon të arrestohet.

“Ne jemi këtu në Venezuelë dhe do të vazhdojmë të ecim përpara,” tha Guaido pas zbritjes nga avioni që ktheu atë nga turi në vendet e tjera të Amerikës Latine.

“BBC” shkruan se ai sfidoi një ndalim udhëtimi të vendosur nga Gjykata Supreme e Venezuelës, kur u largua nga vendi muajin e kaluar, duke kaluar kufirin në Kolumbi.

Guaido ka takuar zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence në Kolumbi dhe presidentin e ri të Brazilit, Jair Bolsonaro.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA John Bolton ka deklaruar: “Çdo kërcënim ose veprim kundër kthimit të tij të sigurt, do të marrë një përgjigje të fortë dhe të rëndësishme”.

Para se të kthehej në Venezuelë, Guaido u ka bërë qytetarëve thirrje për protesta.

“Unë i bëj thirrje venezuelianëve të mblidhen në të gjithë vendin nesër në orën 11,” shkroi Guaido në Twitter këtë të dielë, pasi njoftoi se do kthehej në vend.

Guaidó, i cili është njohur nga mbi 50 vende si president i përkohshëm, i ka bërë thirrje Presidentit Nicolás Maduro të japë dorëheqjen.

Por Maduro këmbëngul se ai është presidenti legjitim dhe mbështetet nga Kina, Rusia dhe Kuba.

Login to post comments