Pas 14 vitesh, a do të largohet Merkel para kohe?

Diel, 21 Prill 2019 09:14

Largim i parakohshëm i Merkelit? Për këtë po flitet shumë. Në fokus është vendosur kryetarja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer. Po si do të futej ajo në zyrën e kancelares?

Nga Deutsche Welle

Në fillim të prillit, kancelarja gjermane, Angela Merkel largoi dy piktura nga zyra e saj dhe i dërgoi në një muze të Berlinit. Janë pikturat „Thyesja" dhe „Kopshti me lule" të Emil Noldesë, pronë e fondacionit Pasuria Kulturore Prusiane që ekspozohen deri në shtator si pjesë e një ekspozite, e cila trajton afrinë politike të piktorit me nacionalsocializmin. Për këtë arsye, Merkel nuk do t'i varë sërish pikturat në vjeshtë. Ajo që bie në sy është se Merkel nuk do më piktura të tjera në zyrë. „Kancelarja federale ka arritur në përfundimin, se fillimisht muri i bardhë pa një pikturë të re duket bukur dhe do ta lerë kështu", thuhet nga zyra e kancelares.

Diskutime pas kuintave në Berlin

Pas 14 vitesh në krye të qeverisë, Angela Merkel ka hyrë në epilogun e karrierës. Postin e kryetares së CDU-së ajo e ka dorëzuar ndërkohë. Annegret Kramp-Karrenbauer është kryetarja e re e partisë dhe nuk është ndonjë sekret, që Merkel e dëshiron atë si pasuese. Por kur? Dhe në cilën mënyrë? Për këtë po diskutohet gjithnjë e më me zë të lartë në Berlinin politik, që nga momenti, kur kancelarja Merkel gati nuk po duket në fushatën zgjedhore europiane aktualisht. Parë me ftohtësi, dhe ky është tipar i studiueses së shkencave ekzakte, Merkel, është rrjedhojë logjike, që kryetarja e dikurshme nuk duket më në universin e kryetares së re të partisë. Merkel po i lë hapësirë, Kramp-Karrenbauerit që të gjenerojë pozicionet e saj dhe të fitojë peshën politike që i nevojitet.

CDU anon sërish djathtas

E duket se AKK, siç e quan veten Annegret Kramp-Karrenbauer po ndjek rrugën e saj dhe kërkon ta ndërrojë kursin e partisë konservatore. Nuk bëhet fjalë për reforma të mëdha, por nuk mund të mos e kuptosh, se kryetarja e re po ndjek një politikë gjithnjë e më konservatore. Si në temën e migrimit, të martesës mes homoseksualëve dhe integrimin europian - Kramp-Karrenbauer është më pak liberale se paraardhësja Merkel.

Kjo e gëzon krahun konservator të CDU-së e bashkë me të edhe Friedrich Merz, që në vjeshtën e kaluar luftoi për postin e kryetarit. Tani ai duket më shpesh në krah të konkurrentes së tij dhe duken se të dy po krijojnë një marrëdhënie të mirë. Në vend të Merkelit, AKK del në fushatën europiane në krah të Friedrich Merz, që nuk e fsheh se nën një kancelare Kramp-Karrenbauer ai do të merrte me dëshirë një post. Por për këtë duhet që AKK të hyjë njëherë në zyrën e kancelares.

Partia Socialdemokrate, SPD jo e afërt me AKK

Zyrtarisht Angela Merkel i qëndron planit, të qëndrojë në post deri në fund të mandatit në vitin 2021. Por pas kuintave po flitet për skenarë të mundshëm me qëllim që t'i ofrohen Kramp-Karrenbauerit shanse të mira startimi. Një ndërrim i tillë personeli në zyrën e kancelarisë nuk ka pasur kurrë më parë dhe ky kalim nuk është aq i thjeshtë në Gjermani. Kancelarët zgjidhen nga Bundestagu. Aty CDU dhe CSU ka shumicën. Socialdemokratët, SPD, kanë bërë ndërkohë të ditur se Kramp-Karrenbauer nuk do të bëhej në asnjë rast kancelare me votën e tyre. Me këtë ata duan të pengojnë që Merkel të largohet para kohe nga detyra: që AKK të krijojë një bonus të sajin e me këtë avantazh të dalë në zgjedhjet e vitit 2021.

Nuk ka më mbështetje koalicioni i madh

Por me këtë SPD do të rrezikonte zgjedhje të reja. Askush nuk do ta donte një skenar të tillë tek socialdemokratët, sepse sondazhet nuk janë premtuese për këtë parti. Prej muajsh SPD nuk e kalon kufirin e 17%, 3% më pak se në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas sondazheve edhe CDU/CSU ka zbritur 3% krahasuar me zgjedhjet fundit. Pra as koalicioni i madh nuk e krijon dot më mazhorancën.

Annegret Kramp-Karrenbauer mund të përpiqet që me partinë liberale, FDP dhe Të Gjelbrit të krijojë një koalicion tre partiak. Shumica për këtë ekziston, por kujtojmë se pas zgjedhjeve të vitit 2017, koalicioni trepartiak dështoi. Dy vite më pas mund të jenë Të Gjelbrit dhe jo FDP që të hapin probleme. Nëse në vitin 2017 ata mezi arritën 9%, tani kanë kapur majat në sondazhe, afër 20%. E si të mos duan ata zgjedhje të reja që të rrisnin kështu pushtetin.

[Annegret Kramp-Karrenbauer Angela Merkel (Reuters/K. Pfaffenbach)]
Vendimi i dhjetorit

E ndoshta në fund është SPD-ja ajo që do të vendosë se sa kohë do të qëndrojë në post, Angela Merkel. Kësaj pyetjeje Merkel i është përgjigjur, se do të qëndrojë deri në fund të legjislaturës. Zyrtarisht deri në fund të 2021-t. Por a do të qëndrojnë kaq kohë së bashku, CDU, CSU dhe SPD që bashkë krijojnë aktualisht koalicionin e madh? Në marrëveshjen e koalicionit thuhet, se në gjysmën e mandatit do të bëhet bilanc dhe do të vendoset për vazhdimësinë e koalicionit.
SPD do ta bëjë këtë në kongresin e partisë në dhjetor 2019. E se çfarë atmosfere do të sundojë në këtë kongres, kjo do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve në lande. Më 26 maj zhvillohen zgjedhjet europiane, më pas zhvillohen zgjedhje në Bremen, në shtator në Brandenburg dhe Saksoni, në tetor në Tyringen. Për socialdemokratët me rezultate katastrofike në sondazhe e zgjedhje të mëparshme do të thotë- dridhu dhe shpreso.

Piktura të reja në zyrën e kancelarisë?

Rezultatet e dobta do të forconin në parti ato forca që ishin kundër koalicionit të madh me CDU/CSU. E ata nuk janë pak. Nëse ata arrijnë shumicën tek të deleguarit mund ta detyrojnë kryesinë e partisë që të largohet nga koalicioni kundër dëshirës së saj. SPD do ta çonte veten kështu në opozitë. E kjo do të thoshte fund i epokës së Merkelit. Teorikisht ajo mund të përpiqej që të krijonte një koalicion tre partiak, por kjo nuk ka gjasa. E vërtetë në këtë moment do të binte ora e Annegret Kramp-Karrenbauerit. Me ose pa zgjedhje, ajo mund të hynte në zyrën e kancelares që në vitin 2020. E me siguri do të varte piktura të reja në muret e bardhë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...