Civilian Joint Task Force (CJTF), një milici që operon në verilindje të Nigerisë, ka liruar 894 fëmijë që i kishte rekrutuar si ushtarë për të luftuar kundër grupit terrorist islamik “Boko Haram”.
Lajmin e ka bërë të ditur UNICEF, që sipas raporteve mes viteve 2013-2017 rezulton se mbi 3,500 fëmijë janë rekrutuar nga milicia.
Në vitin 2017, CJTF ka firmosur një marrëveshje sipas së cilës do të niste lirimin e fëmijëve të rekrutuar për qëllime ushtarake.
UNICEF njofton se fëmijët që u liruan sot, do të përfitojnë nga programet e ri-integrimit të kësaj shoqate ndërkombëtare, “për t’i ndihmuar që t’u rikthehen jetëve sociale, të gjejnë mundësi për zhvillimin e tyre dhe të kontribuojnë për të sjellë paqen e përhershme në Nigeri”.