Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron diskutuan sot në një bisedë telefonike për situatën në Iran.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur ndjeshëm pas veprimeve të fundit. “Dy krerët kanë folur për përpjekjet që po zhvillohen për të garantuar që Irani të mos pajiset me armën bërthamore”, njoftoi Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të shkurtër në lidhje me këtë bisedë.
Ditën e djeshme, marina amerikane shkatërroi një dron iranian në Ngushticën e Hormuzit, si përgjigje e veprimit të Iranit pak kohë më parë, që shkatërroi një dron amerikan në këtë zonë.
Tensionet mes dy vendeve kanë nisur pas tërheqjes së SHBA nga marrëveshja bërthamore. Më pas edhe Irani njoftoi daljen nga marrëveshja duke shkelur disa pika të saj.
Irani ka rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar, lëndë e cila ndihmon në prodhimin e armëve bërthamore.
Bashkimi Europian dhe shumë vende të tjera i kanë bërë thirrje Iranit t’i përmbahet marrëveshjes. SHBA, nga ana tjetër, ka vendosur sanksione ndaj Iranit dhe ka paralajmëruar sanksione ndaj vendeve që mbështesin Iranin.