Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të hënën se vendet e G7-s ranë dakord të sigurojnë më shumë se 20 milion dollarë për pyjet e Amazonës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve që zvogëlojnë biodiversitetin dhe shpejtojnë ngrohjen globale.
“Menjëherë, ne do të ofrojmë mbështetje financiare prej të paktën 22.2 milionë dollarësh për pyjet e Amazonës.” – tha Macron në një konferencë shtypi në samitin e G7-s në Biarritz, Francë.
Duke vënë në dukje se Franca gjithashtu do të ofrojë mbështetje ushtarake për rajonin, ai tha se një iniciativë për Amazonën do të fillohet zyrtarisht në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm.
“Amazona përthith 14% të dioksidit të karbonit në nivel global. Humbja e mushkërive të para të planetit është një problem global.” – shtoi Macron.
Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro u përgjigj në mediat sociale se është në bisedë me homologun e tij kolumbian për të zhvilluar një plan të përbashkët mes shumicës së vendeve në Amazonë për “të garantuar sovranitetin dhe pasurinë natyrore”.
Presidenti i Brazilit, Bolsonaro, tha se Macron ka “qëllime të tjera” pas idesë së një aleance G7 për të shpëtuar Amazonën dhe po e trajton rajonin “sikur të ishim koloni ose toka e askujt”.
Ai shtoi se sulmet e Macron ishin të paarsyeshme duke e akuzuar atë për mentalitet të gabuar kolonialist.
“Më vjen keq që Presidenti Macron kërkon të instrumentalizojë një çështje të brendshme të Brazilit dhe vendeve të tjera të Amazonës për përfitime politike personale.” – tha Bolsonaro.