Kreyministri britanik Boris Johnson pësoi goditje të ndjeshme të martën kur humbi shumicën që i nevojitej në parlament për të mos lejuar që disa ligjvënës të bllokojnë shkëputjen e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje.
Ishte një ditë e ngarkuar me emocione e debate të ndezura në parlamentin britanik lidhur me Brexitin, kur Kryeministri Johnson u ndesh me një dobësim të pozitave pasi ligjvënësit u kthyen nga pushimet e verës.
Gjatë fjalës së kryeministrit në parlament, ligjvëni Phillip Lee u ngrit në këmbë duke u larguar nga karrigia në anën e konservatorëve dhe u ul në anën e liberal-demokratëve, duke nënkuptuar se dezertonte qëndrimin e zotit Johnson dhe duke e lënë atë pa një shumicë të nevojshme.
Tani Kryeministri Johnson do të jetë më i dobët përballë një vote mosbesimi dhe ky ndryshim do të ndërlikojë gjithashtu miratimin e ligjeve.
Po të martën, dy ligjvënës konservatorë sinjalizuan se nuk kanë në plan të konkurojnë për rizgjedhje sepse nuk duan të jenë nën diktatin e kryeministrit.
Kryeministri këmbëngul se mundësia e shkëputjes së Britanisë nga BE-ja pa një marrëveshje duhet të mbetet opsion në mënyrë që t’i bëhet presion BE-së.
Por ndërkohë që afron afati i 31 tetorit për shkëputje, BE-ja tha të martën se nuk kishte marrë ndonjë propozim nga autoritetet britanike për të kapërcyer këtë ngërç mbi bisedimet për Brexit-in.