Rusia do të dëbojë dy diplomatë gjermanë pasi Berlini dëboi dy diplomatë rusë javën e kaluar. Ministria e Jashtme në Moskë njoftoi se ka thirrur për të marrë në pyetje ambasadorin gjerman, Geza Andreas von Geyr dhe ka informuar se dy diplomatët gjermanë kanë shtatë ditë kohë për t’u larguar nga Rusia.
“Duke vepruar sipas parimit të reciprocitetit dhe artikullit 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike të vitit 1961, ana ruse ka vendosur të shpallë dy punëtorët e Ambasadës gjermane persona të padëshiruar në Rusi”, është thënë në deklaratë.
Javën e kaluar, Gjermania ka dëbuar dy diplomatë rusë, pasi Zyra e Prokurorit Federal ka thënë më 4 dhjetor se “ka të dhëna të mjaftueshme” që ose agjencitë e qeverisë rusë apo agjencitë rajonale çeçene kanë urdhëruar vrasjen e një gjeorgjiani 40-vjeçar në Berlin, me origjinë çeçene.
Ministria e Jashtme gjermane e ka cilësuar veprimin e Moskës “të pa arsyetueshëm”.
Moska ka mohuar pretendimet për përfshirje të shtetit në këtë rast.