Autoritetet në Zelandën e Re kanë njoftuar se planifikojnë të kërkojnë trupat e personave që humbën jetën në Ishullin e Bardhë, në një shpërthim vullkanik, ku kanë humbur jetën të paktën 8 persona.
Autoritetet kanë thënë se ekipet e shpëtimit do të shkojnë në këtë zonë, pavarësisht rrezikut të ndonjë shpërthimi tjetër.
“E sotmja është më pak e sigurt se e djeshmja dhe dita para saj”, ka thënë eksperti për vullkane, Graham Leonard.
Trupat e të paktën tetë personave besohet se kanë mbetur në këtë ishull, pas shpërthimit të së hënës dhe mendohet se të gjithë janë të vdekur.
Policia tha që ata po planifikonin një “rikuperim të shpejtë” të kufomave.
Tetë persona të tjerë tashmë janë konfirmuar të vdekur, dhe 20 janë në kujdes intensiv pasi pësuan djegie kur vullkani shpërtheu ndërsa turistët po e vizitonin.