Kazakistan, rrëzohet avioni, 12 të vdekur

Premte, 27 December 2019 18:18

Një aeroplan me më shumë se 90 persona në bord u rrëzua të premten në Kazakistan duke shkaktuar vdekjen 12 vetëve ndërsa 20 të tjerë u plagosën rëndë. Incidenti ndodhi herët në mëngjes, pak minuta pas ngritjes së avionit.

Në një deklaratë të Komitetit të Aviacionit Civil të Kazakistanit thuhej se aeroplani i linjës ajrore “Bek Air” goditi një gardh betoni dhe një ndërtesë dykatëshe pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Almaty-t.

Autoritetet lokale thanë fillimisht se bëhej fjalë për 15 të vdekur, por ministria e Brendshme publikoi më pas një shifër më të ulët, pa dhënë asnjë shpjegim.

Avioni ishte nisur drejt kryeqytetit Nur-Sultan.

Autoritetet e Kazakistanit njoftuan se të gjitha fluturimet e kompanisë “Bek Air” si dhe ato të tipit “Fokker-100” janë pezulluar ndërsa kanë nisur hetimet mbi incidentin.

Prodhuesi i avionëve “Fokker-100” falimentoi në 1996 dhe një vit më vonë prodhimi i këtij tipi aeroplanësh u ndal.

Login to post comments