Letra e priftit katolik në Romë: Që të kenë kuptim këto ditë të vështira

Tuesday, 10 Mars 2020 13:42

Një letër drejtuar besimtarëve për t’i shoqëruar e për t’i ndihmuar të kenë një këndvështrim ungjillor në këto kohë karantine, për shkak të koronavirusit. Kjo qe ideja e një prifti famullitar në Romë, njofton Vatikani.
Nga don Francesco Pesce, famullitar në Romë.
Të nderuar besimtarë, më lejoni t’ju shkruaj dy rreshta për t’ju shprehur afërsinë time shpirtërore në këto ditë të vështira.
Çfarë na thotë kjo sprovë ne të krishterëve? Mund të na mësojë diçka? Si ta interpretojmë dhe si ta jetojmë nga këndvështrimi i krishterë? Në radhë të parë, dua t’u them të gjithëve t’i ngrenë sytë për të parë se ka shumë, miliona njerëz, të cilët, prej vitesh, jetojnë në mesin e virusit të luftës, urisë dhe etjes, janë viktima të malaries dhe të lebrës.
Kjo sprovë erdhi në Kohën e Kreshmëve. Ta kuptojmë se jemi të brishtë: kjo ishte ftesa e së Mërkurës së Përhime. Por, kjo nuk do të thotë të biesh në dëshpërimin e vuajtjes dhe të dorëzimit. Si të krishterë, kur e kuptojmë se jemi të brishtë do të thotë se ia njohim vetes të drejtën për të qenë bij të Atit Qiellor, se kemi nevojë për ndihmën e Tij. Jemi të brishtë, por jo të lënë pas dore. Zoti nuk na braktis, nuk na lëshon dore e ne duhet t’i besojmë. Në Letrën e dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve thuhet: “Kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica, që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë - atëherë jam i fortë”. Ky qëndrim i përvujtë, me besim të thellë, është thelbësor për lutjen e për jetën tonë. Shën Pali e kupton qartë si përballohet e përjetohet çdo ngjarje, veçanërisht vështirësitë; në çastin kur njeriu përjeton dobësinë e vet, duket fuqia e Zotit, i cili nuk të braktis, nuk të lë vetëm, por bëhet mbështetje dhe forcë.
Dikush më shprehu, si famullitar që jam, vuajtjen e vet për normën e ruajtjes së distancës ndërmjet njerëzve. Përveç faktit që jemi të ftuar të gjithë ta ndjekim këtë dhe të gjitha rregullat, që vendosin shkencëtarët dhe autoritetet mjekësore për të luftuar përhapjen e virusit, le të përpiqemi edhe të mendojmë: si mund të gjej një përmasë të krishterë në gjithë këtë? Na ndihmon Koha e Kreshmëve. Ftesa për këtë “distancë sigurie” t’ju nxisë të gjeni çaste vetmie, heshtjeje dhe lutjeje. Shpesh jemi mes turmës, ose në kërkim të saj, në kërkim të zhurmave e të konfuzionit; le t’i jetojmë plotësisht këto çaste vetmie, duke rizbuluar lutjen dhe shoqërinë e Hyjit. E të mos harrojmë se në lutje të krishterët janë të bashkuar, janë një gjë e vetme. Ne jetojmë veç e veç, por jemi një popull i vetëm.
Ka një mënyrë tjetër për ta jetuar “plotësisht”, si të krishterë, këtë kohë të vështirë. Duke mos e jetuar në mënyrë individuale, ose egoiste. E duke pranuar ftesën e Atit të Shenjtë për të ushtruar bamirësi. Bamirësia e mposht virusin. Ka shumë mundësi për këtë, edhe në jetën e përditshme. Falënderoj të gjithë ata, që janë aktivizuar e më kanë shkruar, duke dhënë gatishmërinë e tyre; të bëjnë pazarin, ose të blejnë ilaçet për të moshuarit e vetmuar, që nuk mund të dalin jashtë. Të ndihmojnë ata, që duhet t’i mbajnë fëmijët në shtëpi. Gjeste bujarie për kë është në vështirësi ekonomike, për shkak të bllokimit të shumë veprimtarive tregtare dhe prodhuese.
Zoti do të na njohë, jo pse kemi jetuar me fe të fortë e pa dyshime, por pse kemi dashur; nuk do të na njohë edhe sikur të kemi jetuar me shpresë të palëkundur. Përkundrazi, do të na njohë në brishtësinë e një feje, që di të dojë edhe, e sidomos në vështirësi.
Jezu Krishti na zbuloi një Atë të mëshirshëm, që na dëshiron më shumë të lumtur se të fortë; të brishtë vërtet, por njerëz që i duam të tjerët, me besimin se ka një Shpirt Shenjt, që ecën para nesh, na mbështet e na drejton kah e vërteta. Jezusi pa të hapen qiejt e të zbriste Shpirti Shenjt si pëllumb. Nga ky qiell i hapur përgjithmonë, e jo i mbyllur brenda ndonjë frike, ne përsëri presim dhuratën e Shpirtit Shenjt, që vazhdon të veprojë, të na dojë dhe të na flasë në shumë gjuhë e në shumë mënyra. T’i lutemi Zotit që të dimë ta dëgjojmë dhe Zojës, që të dimë ta ruajmë këtë dhuratë.
Faleminderit
Me bekimin tim
Don Francesco

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...