Gjermania do të marrë rreth 500 të mitur të pashoqëruar nga kampet greke të emigrantëve gjatë javëve të ardhshme, tha Ministri i Jashtëm Heiko Maas të mërkurën, në një përpjekje për të lehtësuar presionin në kampe të shkaktuara nga shpërthimi i koronavirusit.
Shqetësimet janë në rritje për përhapjen e virusit në kampet greke të refugjatëve. Qeveria greke ka thënë që kërkesat e reja për azil nuk do të ekzaminohen gjatë krizës, duke lënë mijëra të bllokuar në kampe. Dy kampe afër Athinës janë karantinuar pasi ka pasur raste sporadike të Covid-19, por frika është e madhe se nëse virusi ka hyrë në kamp, qindra njerëz janë të rrezikuar, në kushte të vështira sanitare.
“Ne u thamë (autoriteteve greke dhe Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë) se ne duam të marrim rreth 350 – 500 fëmijë brenda disa javëve të ardhshme”, tha Maas në një intervistë me transmetuesin RTL/ntv, sipas AFP. Ministri tha se shpresonte që vendet e tjera të ndiqnin po këtë rrugë për të ndihmuar lehtësimin e krizës. “Ne duam të japim një shembull këtu”, tha Maas.
Transferimet mund të fillojnë javën e ardhshme, shtoi ministri i Brendshëm gjerman në një deklaratë.
Fëmijët dhe adoleshentët, të cilët mbërritën në kampe pa prindërit e tyre, “në fillim do të vendosen në karantinë për dy javë”, përpara se të strehohen në rajone të ndryshme, njoftoi ministria gjermane. Edhe Luksemburgu ka sinjalizuar një lëvizje të ngjashme, duke marrë 12 të mitur deri tani.
Ndërkohë Italia, vendi më i goditur në Europë nga koronavirus, ka mbyllur portet e saj për anijet migruese për shkak të epidemisë. Vendimi i marrë nga qeveria italiane mbrëmë vonë, do të thotë që anijet bamirëse të emigrantëve nuk mund të zbarkojnë më në portet italiane.
Qeveria vendosi të martën në mbrëmje që portet nuk mund të konsiderohen të sigurta dhe nuk do të lejojnë që anijet bamirëse të emigranteve të zbarkojnë. Vendimi u mor pasi organizata jofitimprurëse gjermane “Sea-Eye” u drejtua drejt Italisë pasi mblodhi 150 njerëz në ujërat jashtë Libisë në një nga anijet e saj. “Për tërë kohëzgjatjen e urgjencës shëndetësore kombëtare të shkaktuar nga përhapja e virusit Covid-19, portet italiane nuk mund të garantojnë kushtet e nevojshme për t’u klasifikuar dhe përcaktuar si një vend i sigurisë”, thuhej në dekret.