Boris Johnson kthehet të hënën në detyrë, Trump zbulon detaje nga telefonata:Ka energji të jashtëzakonshme.

Premte, 24 Prill 2020 11:33

Boris Johnson raportohet se po planifikon të kthehet në punë të hënën për të marrë nën kontroll krizën e koronavirusit.
Kryeministri Johnson është duke u rikuperuar në shtëpinë e tij, pasi doli nga spitali në fillim të këtij muaji.
Johnson, i cili qëndroi tre ditë në ICU dhe shtatë ditë në spital, u ka thënë ndihmësve të tij që të caktojnë takime me ministrat e kabinetit javën e ardhshme, shkruan Daily Mail.
Një burim i tha gazetës Telegraf: ‘Ai nuk është lloji i personit që rri pa bërë asgjë. Në të vërtetë ai ka punuar shumë, thuajse me kohë të plotë javën e kaluar. Fakti që ai pati një telefonatë me Mbretëreshën natën e së mërkurës, tregon se ai e konsideron veten të aftë për këtë detyrë.’
Boris Johnson ishte mjaft mirë për të zhvilluar telefonatën me ​​Mbretëreshën, konfirmoi sot Downing Street dhe Kryeministri ka qenë duke marrë azhurnime të rregullta nga ndihmësit e tij ndërsa rekuperohej.
Donald Trump ka zbuluar disa nga detajet e telefonatës së tij me Boris Johnson të martën, duke thënë se ai dukej ‘i mprehtë dhe energjik’.
Në një konferencë shtypi për Covid-19, Presidenti amerikan tha: “Ai [Boris] më thirri disa ditë më parë. Unë do t’ju them se ai dukej i jashtëzakonshëm, u çudita në fakt. Mendova se ai do të ishte si ‘Ohhh Donald, si jeni?’
Ai ishte gati të shkonte në punë. Jam shumë i befasuar tani që jua them këtë. Është si Borisi i vjetër, energji e jashtëzakonshme, nxitje e jashtëzakonshme. Ai është një mik i yni dhe një mik i imi. Ai e do shumë vendin e tij, por ai e do vendin tonë, ai e respekton vendin tonë dhe ata janë me fat që e kanë atje”.

Modifikuar më Premte, 24 Prill 2020 11:35
Login to post comments