Presidenti Donald Trump tha se administrata e tij po konsideron mundësinë që të kërkojë që udhëtarët në fluturime të caktuara ndërkombëtare që vijnë në Shtetet e Bashkuara t'u nënshtrohen kontrolleve të temperaturës dhe viruseve për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.
"Ne po shohim ta bëjmë këtë në fluturimet ndërkombëtare që vijnë nga zona që janë shumë të infektuara", tha presidenti Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë. "Ne do ta shqyrtojmë këtë në një të ardhme shumë të afërt."
Trump tha se nuk është përcaktuar ende nëse qeveria federale apo linjat ajrore do të kryejnë testimin. "Ndoshta është një kombinim i të dyjave," tha ai.
Komentet e presidentit Trump u bënë gjatë një konference për një program kredie të krijuar për të ndihmuar bizneset e vogla të përballojnë pandeminë e koronavirusit, i njohur si Programi i Mbrojtjes së Pagesave. Ai tha se Administrata e Biznesit të Vogël ka përpunuar më shumë kredi në 14 ditë sesa ka bërë në 14 vitet e mëparshme.
Më parë, presidenti mbrojti trajtimin e pandemisë nga administrata e tij ndërsa u takua me guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis dhe premtoi se do t'i ndihmojë shtetet që të fillojnë në mënyrë të sigurtë rihapjen e ekonomive të tyre.
Presidenti Trump, i ulur pranë Guvernatorit DeSantis në Zyrën Ovale, këmbënguli që Shtetet e Bashkuara po bënin testime të mjaftueshme për të mbrojtur amerikanët që ribëhen pjesë e forcës së punës. Administrata është kritikuar ashpër për mungesën e testimit masiv, por Presidenti Trump tha se asnjë sasi nuk do të mafjtonte për kritikët në media.
Presidenti hodhi poshtë sugjerimet se administrata ishte e ngadaltë në përgjigjen ndaj kërcënimit të COVID-19, si dhe njoftimet se çështja ishte përmendur në konferencën e tij të përditshme të të dhënave të zbulimit në janar dhe shkurt. Ai theksoi vendimin e tij për të kufizuar fluturimet nga Kina - megjithëse më shumë se 40,000 udhëtarë nga Kina mbërritën në SHBA më pas - dhe tha për vendimin: "Pavarësisht nëse ishte fat, talent apo diçka tjetër, ne shpëtuam disa mijëra jetë."
Florida, me një popullsi të lartë të amerikanëve të moshuar, të cilët janë edhe më të ekspozuar ndaj sëmundjes, ka qenë prej kohësh një burim shqetësimi, dhe Gvuernatori DeSantis u tregua më i ngadalshëm për të imponuar udhëzime për distancim fizik, sesa guvernatorët e tjerë. Por Guvernatori DeSantis, gjithashtu republikan dhe aleat i ngushtë i Presidentit Trump, promovoi aftësinë e shtetit të tij për të testuar banorët e tij.
Ai gjithashtu ngriti idenë e testimit të pasagjerëve të linjave ajrore në udhëtime ndërkombëtare nga zonat ku virusi po përhapet. Kur Trump sugjeroi se DeSantis mund të ishte duke "bllokuar Brazilin", i cili po përjeton një shpërthim të madh, guvernatori u përgjigj: "Jo domosdoshmërisht".
Gary Kelly, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Southwest, u pyet për ekzaminimet në aeroporte gjatë një telefonate për të ardhurat me analistë dhe reporterë dhe tha: "Ne po flasim me administratën dhe anëtarët e Kongresit se cilat duhet të jenë protokollet".
Ai shtoi se një grup i kësaj industrie po "drejtonte përpjekjen për të ngritur një lloj kontrolli shëndetësor në pikat e kontrollit të sigurisë ... një lloj ekzaminimi ka kuptim, dhe unë mendoj se për t'i bërë njerëzit që të udhëtojmë përsëri me avion, ata duhet të ndjehen komodë, dhe unë mendoj se kjo është një mënyrë për të siguruar komoditet shtesë".
Autoritetet shëndetësore në Florida i kanë atribuar shumë prej infeksioneve njerëzve që kanë mbërritur nga pikat e tjera të nxehta, përfshirë Evropën, Amerikën Latine dhe rajonin e New York. Guvernatori DeSantis ende nuk ka dhënë një datë fillimi për rihapjen, por ka thënë se do të ishte "metodike, e ngadaltë dhe e drejtuar nga të dhënat". Ai gjithashtu ka qenë duke mbledhur informacione nga një grup pune që përfaqëson grupe të industrisë dhe profesionistë të mjekësisë.
I pyetur pse e mbylli shtetin e tij më vonë sesa të tjerët, DeSantis bëri dallimin mes përqasjes "së përshtatur" dhe "të matur" të Floridas me masat "drakoniane" në shtetet e tjera.
"Të gjithë në media po thoshin se Florida do të ishte si Nju Jorku ose Italia, dhe kjo nuk ka ndodhur," tha Guvernatori DeSantis. VOA