Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka kaluar natën para Teatrit Kombëtar, në mbështetje të artistëve, të cilët kundërshtojnë vendimin e Bashkisë së Tiranës për shembjen e godinës.
Duke folur për media, Kryemadhi tha se gjendja gjatë natës ishte e qetë, edhe pse të gjithë punonjësit e bashkisë ishin në gatishmëri.
“Ne ishim një grup modest që qëndruam gjithë natën, ishte gjendje e qetë, nuk patëm asnjë problem, dhe kështu do të vazhdojmë. Nuk kanë tentuar të na largojnë, punonjësit e bashkisë ishin në gatishmëri të plotë, kishin besimin se ne do të largoheshim vetë. Kishte hyrje-dalje në Bashkinë e Tiranës. Rreth orës 5 të mëngjesit, kur e kuptuan që ne nuk do të lëviznim nga sheshi, ata u larguan. Kishte nga shoqëria civile, shumë artistë, që qëndruan këtu. Kjo do të jetë e organizuar nga të gjitha shoqatat, partitë politike të frontit opozitar dhe shumë artistë e qytetarë”, tha Kryemadhi.