Pompeo i bën jehonë fjalëve të ish presidentit Nikson: “Bota nuk mund të jetë e sigurt derisa Kina të ndryshojë”
Nga Zëri Amerikës-
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përshkroi se si marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë shkuar nga një optimizëm i mbrojtur, siç ndodhi në epokën e administratës së Presidentit Nixon, në një “të vërtetë të vështirë.”
Sekretari Pompeo foli të enjten në Kaliforni në selinë e Fondacionit Nixon në Jorba Linda.
“[Ish Presidenti] Richard Nixon kishte të drejtë kur shkruajti në vitin 1967 se ‘bota nuk mund të jetë e sigurt derisa Kina të ndryshojë.’ Tani ne duhet t’i dëgjojmë me vëmendje fjalët e tij”, tha Pompeo.
Chairman Mao Zedong meets President Richard Nixon
Chairman Mao Zedong meets President Richard Nixon
Sekretari Pompeo tha se “paradigma e vjetër e angazhimit të verbër me Kinën ka dështuar. Ne nuk duhet ta vazhdojmë atë. Ne nuk duhet të kthehemi tek ajo”.
Përkundrazi, “ne kemi nevojë për një strategji që mbron ekonominë amerikane dhe mënyrën tonë të jetesës. Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re”, tha ai.
Zoti Pompeo e kujtoi me respekt udhëtimin historik të ish presidentit Nixon në Pekin gati 50 vjet më parë dhe filozofinë e tij se “ne thjesht nuk mund të përballojmë ta lëmë Kinën përgjithmonë jashtë familjes së kombeve … bota nuk mund të jetë e sigurt derisa të ndryshojë Kina. Kështu që, qëllimi ynë, deri në atë masë që ne mund të ndikojmë tek ngjarjet, duhet të jetë nxitja e ndryshimeve.”
Por, Sekretari Pompeo argumentoi se nga angazhimi që ish presidenti Nixon kërkonte Kina përfitoi më shumë sesa Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara urdhëruan mbylljen e konsullatës së Kinës në Hjuston, duke thënë të mërkurën se masa ishte bërë për të “mbrojtur pronën intelektuale amerikane dhe informacionet private të amerikanëve”.
“Ne po parashtrojmë pritshmëri të qarta për mënyrën se si do të duhet të veprojë Partia Komuniste Kineze, dhe kur ata nuk do të veprojnë në këtë mënyrë, ne do të ndërmarrim veprime që mbrojnë popullin amerikan, sigurinë tonë, sigurinë tonë kombëtare, ekonominë dhe vendet e punës”, tha Pompeo të mërkurën gjatë një vizite në Danimarkë.
Kina kritikoi veprimin e Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur atë një “provokim politik” dhe tha se do të përgjigjet me “veprime të ligjshme dhe të nevojshme”.
“Kina e dënon me forcë dhe kundërshton me vendosmëri një veprim të tillë të egër dhe të pajustifikuar që saboton marrëdhëniet Kinë-SH.B.A. “, tha në një deklaratë Ambasada kineze në Uashington të enjten. “Akuzat e Shtetevet të Bashkuara janë trillime të pabaza, dhe justifikimet që ato përmendin janë të skajshme dhe të paaritshme”, thuhej në deklaratën e Ambasadës kineze në Shtetet e Bashkuara.