Nga VOA-
Njoftimi i Moskës të martën se Rusia do të miratojë një vaksinë kundër koronavirusit pas më pak se dy muaj testimesh tek njerëzit, ka shkaktuar alarm mes ekspertëve të shëndetësisë në botë, të cilët thonë se pa të dhëna të plota për provat, është vështirë t’i besosh vaksinës.
Me synimin për të qenë e para në garën globale për prodhimin e një vaksine kundër COVID-19s, Rusia ende nuk ka kryer prova në shkallë të gjerë, nga të cilat do të nxirreshin të dhëna për të treguar nëse ajo funksionon. Ekspertët e sëmundjeve ngjitëse thonë se në këto kushte, njoftimi i Rusisë është ndoshta një hap i papërgjegjshëm.
“Rusia në thelb po kryen një eksperiment me një pjesë të madhe të popullatës,” thotë Ayfer Ali, specialiste e hulumtimeve për ilaçet pranë shkollës Warwick të Biznesit në Britani.
Ajo tha se një miratim i tillë super i shpejtë mund të bëjë që efektet e mundshme negative të vaksinës të mos merren në shqyrtim. Këto efekte, megjithëse të rralla, mund të jenë serioze, paralajmëroi ajo.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se vaksina e zhvilluar nga Instituti Gamaleya i Moskës është e sigurtë, duke shtuar se njëra prej vajzave të tij e kishte bërë vaksinën.
“Unë e di që funksionon mjaft mirë, krijon imunitet të fortë dhe po e përsëris, i ka kaluar të gjitha kontrollet e nevojshme,” tha Presidenti Putin në televizionin shtetëror.
Francois Balloux, ekspert në Institutin e Gjenetikës pranë University College të Londrës tha se ky ishte një vendim “i pamatur dhe marrëzi”.
“Vaksinimi masiv me një vaksinë të testuar jo në mënyrën e duhur është diçka joetike,” tha ai. “Çdo problem që mund të lindë në fushatën ruse të vaksinimit, do të ishte katastrofik, qoftë për nga efektet negative mbi shëndetin, por edhe sepse do të ndikonte që popullata të mos i pranojë vaksinat.”
Ndërkohë që Rusia shpalli fitoren, më shumë se gjashtë kompani farmaceutike në të gjithë botën janë në proces të kryerjes të provave të avancuara në shkallë të gjerë tek njerëzit me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra vullnetarëve.
Disa nga këto kompani, si Moderna, Pfizer dhe AstraZeneca, thonë se shpresojnë që nga fundi i këtij viti, ta dinë nëse vaksinat e tyre funksionojnë dhe janë të sigurta.
Të gjitha këto kompani pritet të publikojnë rezultatet e provave dhe të dhënat për sigurinë e vaksinave, të cilat do t’u dorëzohen enteve rregullatore në Shtetet e Bashkuara, Evropë apo vende të tjera për shqyrtim përpara se të mund të marrin lejen.
Miratimi i vaksinës ruse nga Ministria e Shëndetësisë vjen përpara testimeve që normalisht duhet të përfshinin mijëra pjesëmarrës, të njohura zakonisht si faza 3 e testimeve.
Prova të tilla zakonisht konsiderohen si fazë thelbësore që një vaksinë të marrë miratimin nga enti rregullator.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump do të informohej mbi përpjekjet që po bëhen në SHBA për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway tha se priste që Presidenti Trump të informonte publikun në një konferencë për shtyp mbi atë që është arritur deri tani.