Kandidatja demokrate për postin e nënpresidentes, senatorja Kamala Harris nga Kalifornia, u bëri thirrje qytetarëve të luftojnë për "Amerikën që ne e dimë se është e mundur", pasi ajo bëri histori me pranimin e emërimit nga partia e saj për t'u paraqitur së bashku me kandidatin presidencial Joe Biden në votimet e muajit nëntor.
Kama Harris, 55 vjeçare, një ish prokurore, është e para grua afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane, kandidate për nënpresidente për një nga partitë kryesore. Nëna e saj ishte një shkencëtare e kancerit të gjirit që emigroi nga India. Ajo vdiq në vitin 2009. Babai i senatores Harris, një ekonomist, erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Xhamajka.
Duke folur në natën e tretë të Kuvendit Kombëtar të Demokratëve, zonja Harris kritikoi ashpër presidentin Donald Trump për trajtimin e pandemisë së koronavirusit dhe të ekonomisë, duke thënë se "dështimi i tij në udhëheqje ka kushtuar jetë".
Më herët gjatë mbrëmjes, ish-presidenti Barack Obama, sumoi ashpër presidentin Trump, pasuesin e tij, duke thënë se presidenti Trump po e trajtonte presidencën si "një reality show", dhe duke rrezikuar demokracinë me udhëheqjen e tij të papërshtatshme dhe në stilin autoritar.
Duke pranuar emërimin nga demokratët, zonja Harris foli për një komb me "kompleksitete dhe papërsosmëri", dhe nevojën për t'u vënë në punë për të trajtuar të metat e tij, të tilla si luftimi i racizmit dhe realizimi i "premtimit për drejtësi të barabartë para ligjit".
Të mos gabohemi, rruga përpara nuk është e lehtë. Ne do të pengohemi. Mund të rrëzohemi. Por unë ju premtoj se do të veprojmë me guxim dhe do t'i trajtojmë me ndershmëri sfidat tona. Ne do të themi të vërtetën dhe do të veprojmë me të njëjtin besim tek ju sikundër ju kërkojmë që të keni besim në ne", tha zonja Harris.
Vendimi i zotit Biden për të zgjedhur gruan e parë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane si kandidate për nënpresidente, preku shumë nga pakicat dhe gratë në parti, që shprehnin një mbështetje të vakët ose ishin kundër 77-vjeçarit Biden.
Zonja Harris u zotua se një administratë Biden-Harris do të punojë për "ngritjen e një ekonomie që nuk e lë askënd prapa", të ndërmarrë hapa për t'i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, dhe të ndërtojë një komunitet që është "i fortë dhe modest, i drejtë dhe i mirë".
"Ne duhet të zgjedhim një president që do të sjellë diçka ndryshe, diçka më të mirë dhe do të bëjë punë të rëndësishme," tha zonja Harris. "Një president i cili do të na bashkojë të gjithëve për të ndërtuar të ardhmen që ne e duam kolektivisht. Ne duhet të zgjedhim Joe Biden", tha ajo.
Ndërkohë, ish presidenti Obama mbajti një fjalim të regjistruar në Filadelfia, duke thënë se për gati katër vjet Donald Trump "nuk ka treguar asnjë interes për të trajtuar presidencën ndryshe, përveçse si një 'reality show' që ai mund të përdorë për të siguruar vëmendjen që dëshiron".
Zoti Obama paralajmëroi se rizgjedhja e zotit Trump mund të dëmtojë demokracinë, ndërsa shtoi se kishte shpresuar që zoti Trump do ta trajtonte seriozisht punën e presidentit dhe "do të shfaqte më shumë nderim për demokracinë e vendosur nën kujdesin e tij".
“Donald Trump nuk është i zoti i punës, sepse nuk mundet", tha zoti Obama. “Dhe pasojat e dështimit të tij janë të rënda. 170 mijë amerikanë të vdekur, miliona vende pune të shuara... Nami ynë krenar në botë u dëmtua rëndë dhe institucionet tona demokratike u kërcënuan si kurrë më parë", tha ai.
Fjalimi i zotit Obama ishte i jashtëzakonshëm sepse ish presidentët rrallë kritikojnë publikisht një president në detyrë.
Pasi që copëza të komenteve të zotit Obama u publikuan më herët të mërkurën, presidenti Trump u përgjigj duke kritikuar ish presidentin Obama se ishte joefektiv dhe kishte rrezikuar demokracinë në Shtetet e Bashkuara.
"Kur e dëgjoj atë dhe shoh tmerrin që ai na la, budallallëkun e transaksioneve që ai bëri. Shikoni çfarë po bëjmë ne. Ne kemi murin tonë të madh kufitar. Kemi siguri", tha presidenti Trump në një konferencë me gazetarë. "Shikoni sa i keq ishte ai, sa i paefektshëm ishte ai", tha presidenti Trump.
Shumë nga folësit nënvizuan karakterin dhe guximin e zotit Biden për tejkalimin e humbjeve të mëdha në jetën e tij, përfshirë vdekjen e gruas së tij të parë dhe së bijës në një aksident me makinë në vitin 1972 dhe së fundmi, me 2015, vdekjen e njërit prej djemve të tij, Beau Biden, nga kanceri i trurit.
Ish presidenti Obama tha se zoti Biden e di se forca e vërtetë e Shteteve të Bashkuara "vjen nga dhënia e një shembulli që bota dëshiron ta ndjekë", dhe që zoti Biden dhe zonja Harris kanë plan të vënë nën kontroll pandeminë e koronavirusit, të zgjerojnë kujdesin mjekësor, të shpëtojnë ekonominë amerikane dhe "të ripërtërijnë pozitën tonë në botë".
"Më shumë se gjithçka, ajo që di për Joe, ajo që di për Kamalan, është se ata në fakt interesohen për çdo amerikan dhe se ata kujdesen thellësisht për këtë demokraci," tha zoti Obama. "Ata besojnë se në një demokraci, e drejta e votës është e shenjtë dhe ne duhet ta bëjmë më të lehtë për njerëzit që të votojnë, jo më të vështirë. Ata besojnë se askush, madje as presidenti nuk është mbi ligjin dhe se asnjë zyrtar publik, madje as presidenti, nuk duhet të përdorë zyrën për të pasuar veten ose përkrahësit e tij", tha ai.
Ish Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, e cila humbi në garë me presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2016, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë ndërsa mbështeti dyshen Biden - Harris në fjalimin e saj të mërkurën.
Ajo përmendi planet për krijimin e vendeve të punës, pushimet e paguara për familjet, kujdesin shëndetësor për të gjithë, ndihmën për emigrantët pa dokumente që hynë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, reformimin e sundimit të lijgit dhe zgjedhjet e lira pa ndërhyrje nga jashtë.
Presidenti Trump po bënë ndalesa fushate gjatë javës që zoti Biden është në qendër të vëmendjes, duke udhëtuar në zonat e betejës politike që mund të luajnë një rol kryesor në zgjedhje.
Të enjten, ai do të qëndrojë pranë shtëpisë së fëmijërisë së zotit Biden në Scranton, të shtetit Pensilvani.
Republikanët po organizojnë kuvendin e tyre kombëtar që do të mbahet javën e ardhshme, duke filluar nga e hëna dhe duke kulmuar me fjalimin e pranimit të ri kandidimit nga presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht.