Protestues të shumtë në Bjellorusi kanë zhvilluar tjetër tubim masiv në kryeqytetin e vendit Minsk, dy javë pas zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale, që shpallën fitues presidentin Aleksandër Lukashenko.
Njerëzit kanë qenë të shumtë në sheshin qendror të Minskut, pavarësisht prezencës së madhe të policisë, raporton BBC.
Protestuesit shprehen se Lukashenko ka vjedhur zgjedhjet dhe duan që kreu i shtetit të japë dorëheqjen. Lukashenko nga ana e tij është zotuar “të shtypë” protestuesit, ndërsa ka thënë se “vetëm nëse vdes do të jepte dorëheqjen”.
Protestat kanë rezultuar me gjithsej 4 të vdekur. Disa nga demonstruesit janë shprehur se janë torturuar nëpër burgje.
Sipas rezultateve zyrtare, Aleksandër Lukashenko fitoi 80 përqind të votave dhe kandidatja opozitare Svetlana Tikhanovskaya 10%.
Opozita deklaron se në zgjedhje nuk kishte vëzhgues të pavarur e se kishte manipulim masiv votash
Tikhanovskaya që u detyrua të ikë në Lituaninë fqinje menjëherë pas zgjedhjeve, u shpreh se do të qëndrojë deri në fund në këtë rezistencë.