Turqia nuk e ka mirëkuptimin e Bashkimit Europian në lidhje me kërkimet për gaz dhe naftë në ujërat pranë Greqisë.
Gjermania i bëri thirrje urgjente Greqisë dhe Turqisë të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre mbi pretendimet për të drejtën për të shfrytëzuar burimet natyrore në ujërat e Mesdheut Lindor, duke paralajmëruar rrezikun e një konfrontimi ushtarak.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha: “Mesazhi i parë është se Gjermania dhe i gjithë Bashkimi Europian është në solidaritet të fortë me Greqinë.
Mesazhi i dytë po ashtu i rëndësishëm është se na duhen urgjentisht shenja të uljes së tensioneve dhe gatishmëri për dialog. Situata aktuale në Mesdheun Lindor është bërë shumë e rrezikshme dhe incidenti më i vogël mund të çojë në një katastrofë, e cila nuk mund të jetë në interes të askujt, veçanërisht një konfrontim ushtarak midis partnerëve të NATO-s dhe fqinjëve. Një zgjidhje detyruese dhe paqësore e mosmarrëveshjes përfundimisht do të arrihet vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta midis Greqisë dhe Turqisë”.
Gjermania mban presidencën e radhës të BE-së dhe ministri gjerman, pas ndalesës në Athinë, do të udhëtojë edhe drejt Ankarasë.
Gjatë javës pritet edhe një takim mes ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët do të diskutojnë mbi tensionet në Mesdheun Lindor. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian deri më tani e kanë mbështetur Greqinë, por vendet e BE-së duket se kanë qëndrime të ndryshme për sa i përket një kërkese të Athinës për të vendosur sanksione ndaj Turqisë.
Një ditë më parë, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e akuzoi Greqinë se po “rrezikon sigurinë lundruese të të gjitha anijeve në rajon” dhe paralajmëroi se qëndrimi i saj ndaj ligjit ndërkombëtar e kishte shtyrë Greqinë “në një kaos, nga i cili nuk mund të largohet lehtë”.