Prokurorët amerikanë në ‘xhepin’ e Soros

Tuesday, 22 September 2020 19:54

 

Nga Robby Starbuck “The Federalist”

Që prej vitit viti 2015, Xhorxh Soros po zbaton një plan për të ri-formatuar Amerikën, përmes zgjedhjeve të prokurorëve lokalë, duke shpenzuar shuma të mëdha parash në gara të ndryshme. Ja pse ai ka interes mbi këto gara lokale

Soros po shfrytëzon faktin që gjithë politika është në një farë mënyre lokale. Dhe për të transformuar Amerikën, ti duhet të transformosh mënyrën e funksionimit të qyteteve. Në një debat të ashpër pak ditë më parë në Fox News, midis ish-Kryetarit të Kongresit Njut Gingriç, moderatorit Herris Folkner, analistes demokrate Mari Harf dhe komentatores së Fox News, Melisa Frensis, pata mundësinë të kuptoj se sa shumë njerëz nuk kanë dijeni për këtë gjë.

Duhet të sqaroj një gjë. Kritika se si një individ shumë i pasur përdor paratë e tij për të ndryshuar një komb, nuk ka të bëjë aspak me kritikën ndaj etnisë apo besimit të tij fetar.

 

Supozimi i së majtës se vënia në dyshim e shpenzimeve politike të dikujt, është e barabartë me vënien në dyshim të dinjitetit të tij si person, është në vetvete një supozim thellësisht fanatik, i krijuar vetëm për të heshtur çdo lloj zëri kundër tij dhe për të mbyllur debatin.

Prej 5 vitesh, Soros ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë në gara lokale për prokurorët e rinj në Teksas, Kolorado, Kaliforni, Oregon, Uashington, Florida dhe Nju Jork, si dhe shtete të luhatshme si Pensilvania, Virxhinia dhe Arizona.

Në vitin 2016, Soros shpenzoi 2 milionë dollarë në garën e Kontesë Marikopa në Arizona, duke ndihmuar në fitoren e kandidatit të majtë Pol Penzone. Në Filadelfia, Soros shpenzoi 1.7 milionë dollarë për të zgjedhur Lerri Krasnerin. Soros ka dhënë gjithashtu miliona dollarë në grante për kandidatët në shtetet e tjera.

Dhe këto kontribute jashtëzakonisht të mëdha kanë një ndikim shumë të madh. Edhe pse përpjekjet e tij nuk kanë qenë të suksesshme kudo, shumica dërrmuese e kandidatëve të mbështetur nga Soros kanë fituar me donacionet e tij.

Tani le të flasim për atë që do të ndodhë pas Ditës së Zgjedhjeve, kur kandidatët e mbështetur nga Soros të fillojnë të përdorin fuqinë e tyre. Kështu për shembull prokurorja Çikagos Kim Foks është e njohur pasi e lejoi aktoren Xhuzi Smolet të shpëtonte nga ndjekja penale për mashtrim, duke pretenduar se ishte rrahur nga dy burra.

Një prokurore speciale e caktuar për të shqyrtuar sjelljen e Foks në këtë rast, tha se kishte “abuzime thelbësore për sa i përket diskrecionit dhe dështimeve operacionale”, duke arritur në përfundimin se ajo ishte fajtore për “deklarata të rreme ose mashtruese për publikun”.

Nëse keni pasur fatin e keq të dëgjoni emrin e Kim Gardner, kjo ka ndodhur ndoshta për shkak se ajo po përpiqet të fusë në burg Mark dhe Patrisha Mekolskey për shkak se mbrojtjën shtëpinë e tyre, duke ushtruar të drejtën e tyre për të mbajtur armë kur u kërcënuan nga protestuesit.

Ndërkohë prokurori i San Franciskos Çesa Badin nuk pranon të ndjekë penalisht ato që ai i quan “krime të cilësisë së jetës” si ngacmimet seksuale në rrugë, urinimin në ambiente publike etj. Ai ka thënë gjithashtu se policimi dhe burgosja “janë jashtëzakonisht të kushtueshme, dhe janë përgjigje të dështuara ndaj asaj me të cilën po përpiqemi të përballemi”.

Para shpenzimeve në këto gara, Soros dhuroi 50 milionë dollarë në “Fushatën për t’i dhënë fund burgosjes masive” të Unionit të Lirive Civile Amerikane nëpërmjet Fondacionit të tij të Shoqërisë së Hapur në vitin 2014. Pjesa më e madhe e këtyre parave shkoi për grupet lokale progresive dhe për këto lloj kandidatësh radikalë.

Kur pashë debatin në Fox Neës, pyesja veten se si kushdo që punon në media mund të ishte kaq i painformuar mbi atë që po bën Soros në SHBA. Plani i miliarderit të krahut të majtë, është i qartë. Duke u nisur nga fakti që politika është lokale, ai po përfiton nga garat lokale të prokurorëve për ta riformatuar sistemin amerikan të drejtësisë, dhe përmes kësaj ta transformojë gjithë Amerikën sipas ëndrrave të ekstremit të majtë.

Ky hap, nga ri-formatimi i sistemit tonë të drejtësisë në rindërtimin e Amerikës, mund të duket si një kërcim i madh nga disa. Por fakt është që rendi dhe ligji janë thelbi i ekzistencës së Amerikës. Pa ligj dhe rregull, nuk mund të ekzistojë dot një vend.

Nëse doni të dini cili është hapi radhës i Sorosit, është një zgjerim i vazhdueshëm i fondeve për garat e prokurorëve, por edhe shumë më tepër sesa kaq. Premtimi i tij i fundit për të dhënë 1 miliardë dollarë për të ndërtuar një universitar në të gjithë vendin është pjesë e përpjekjes së tij më të gjerë për të promovuar ideologjinë e tij ekstreme të majtë midis të rinjve me ndikim.

Soros e quan këtë nismë “projekti më i rëndësishëm i jetës sime”. Dhe kjo duhet të shqetësojë shumë amerikanët e zakonshëm kudo që ndodhen, dhe ndoshta të frymëzojë një reagim për të luftuar ndikimin e dëmshëm të Sorosit në vend.

Unë besoj se ruajtja e lirive tona dhe ruajtja e Kushtetutës Amerikane, janë dy shtylla të mbajtjes së “Amerikës së Madhe”, së bashku me përkrahjen e shtetit të së drejtës dhe edukimin e duhur të të rinjve tanë. Sorosi ka në plan t’i shembë sistematikisht këto shtylla, dhe neve na kërkohet të mos flasim për këtë gjë. Por ne duhet dhe do të flasim për të./ Përshtatur nga CNA.al/

Login to post comments