Londër, përmbyllet dita e parë e takimit të G-7ës

Saturday, 12 June 2021 09:25

 

Ka përfunduar dita e parë e samitit të G-7ës, në Cornwall, Angli, ku drejtuesit e shtatë vendeve të pasura demokratike synojnë të udhëheqin luftën globale kundër pandemisë dhe të “rindërtojnë më mirë” drejt një të ardhmeje më të gjelbër, më të begatë dhe të barabartë.

Samiti organizohet nga Britania dhe ndiqet nga udhëheqës të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara. Përfaqësues nga Bashkimi Evropian gjithashtu po marrin pjesë, së bashku me të ftuar të tjerë – udhëheqësit e Australisë, Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut. Kryeministri i Indisë mori pjesë përmes lidhjes videofonike.

 

“Ky është një takim që duhet vërtet të ndodhë”, tha Kryeministri Boris Johnson, organizator i këtij viti, ndërsa çeli seancën plenare të udhëheqësve. “Ne duhet të sigurohemi që të nxjerrim mësime nga pandemia, duhet të sigurohemi që të mos përsërisim disa nga gabimet që pa dyshim kemi bërë gjatë 18 muajve të fundit apo më shumë”.

Zoti Johnson tha se ai dëshiron që G-7 të “rindërtohet më e mirë, të rindërtohet më e gjelbër, të rindërtohet më e drejtë dhe të rindërtohet më e barabartë dhe në një mënyrë më neutrale për gjininë dhe ndoshta në një mënyrë më femërore”.

Ndërsa takimet e kaluara e G-7ës karakterizoheshin nga bankete luksoze, delegacione masive dhe grupe shoqëruese mediatike, seancat e këtij viti janë rreptësisht të kufizuara. Maskat, testimi i përditshëm për COVID-19 dhe protokollet e tjerë shëndetësorë janë një kujtesë e zymtë se kriza e koronavirusit nuk ka mbaruar aspak.

“Bota do të presë që G-7a të zbatojë vlerat tona të përbashkëta dhe fuqinë diplomatike, për sfidën e mposhtjes së pandemisë dhe udhëheqjen e një rikuperimi global”, tha zoti Johnson.

 

Pandemia shkaktoi që udhëheqësit ta anashkalonin samitin e vitit të kaluar. Hera e fundit që G-7a u mblodh në person ishte në Biarritz, Francë, në vitin 2019.

Plani i G-7ës për pandeminë

Zoti Johnson tha se G-7 do të shpallë një plan për të dhuruar një miliard doza vaksinash nga COVID-19ës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përfshirë 100 milionë doza nga Britania.

Njoftimi i zotit Johnson erdhi të enjten pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha më herët gjatë ditës se administrata e tij po dhuron 500 milionë doza të vaksinës Pfizer, sa gjysma e vaksinave të gjithë grupit G-7.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e mirëpriti angazhimin, por tha se nuk është i mjaftueshëm dhe prodhimi duhet të dyfishohet. “Na duhet një përpjekje e përbashkët”, u tha ai gazetarëve në G-7 përmes një lidhjeje videofonike nga Londra. “Për këtë na duhet një plan global i vaksinimit”.

Ai propozoi që të bashkohen të gjitha vendet me aftësinë për të prodhuar vaksinat – ose vendet që mund të kenë mbështetjen e duhur – në një grup pune emergjence.

Ata do të mbështeten nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, programet GAVI, COVAX dhe institucionet financiare ndërkombëtare, dhe do të përfshihen në prodhimin dhe shpërndarjen e drejtë të vaksinave në botën në zhvillim.

Zoti Guterres gjithashtu shprehu mbështetje për heqjen e patentave në teknologjinë e vaksinave, duke thënë se, “është e qartë që ne duhet të ndajmë njohuritë dhe të ndajmë të gjitha aspektet e nevojshme për të lejuar dyfishimin e prodhimit të vaksinave”.

Ndryshimet klimatike

Vendet e G-7 do të angazhohen të ulin çlirimin e CO2 për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius krahasuar me nivelet para-industriale, një ndryshim nga rritja e temperaturës 2 gradë Celsius për të cilën ishte rënë dakort më parë.

“Shkenca ka ndryshuar pak. Është bërë e qartë se 1.5 gradë është ndoshta më e rëndësishme nga sa kemi menduar më parë”, tha Samantha Gross, drejtore e Sigurisë së Energjisë dhe Iniciativës Klimatike në Institutin Brookings. “Kjo është me të vërtetë e vështirë për t’u arritur. Pra, ky është një angazhim vërtet domethënës”, shtoi zonja Gross.

Grupi gjithashtu ra dakord të mos financojë më impiantet e qymyrit pas fundit të vitit 2021, një koncesion i rëndësishëm nga Japonia, e cila mbështetet në to.

Komunikata e G-7ës të dielën pritet të shërbejë si një bazë përpara Glasgow COP26, Konferenca e 26-të e OKB-së për Ndryshimin e Klimës në nëntor, që gjithashtu do të organizohet nga Britania.

Tregtia dhe ekonomia

Para samitit, ministrat e financave të grupit ranë dakord për një normë minimale globale të taksave prej 15% që kompanitë do të duhet të paguajnë pavarësisht se ku janë të vendosura. Marrëveshja synon të ndalojë ndërmarrjet e mëdha shumëkombëshe të kërkojnë parajsat fiskale dhe do t’i detyrojë ata t’u paguajnë qeverive më shumë nga të ardhurat e tyre.

Foto në grup e ministrave të financave
Foto në grup e ministrave të financave
Grupi ka shumë mosmarrëveshje në lidhje me tregtinë, duke përfshirë mosmarrëveshjet e gjata mbi subvencionet për kompanitë Airbus dhe Boeing, si dhe tarifat e çelikut dhe aluminit që presidenti i atëhershëm Trump i vendosi në vitin 2018. Por ato pritet të përqendrohen në fushat me qëndrime të përbashkëta, përfshirë këtu edhe daljen me një angazhim për të mbështetur dhe forcuar “sistemin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar në rregulla” si dhe “rregullat e tregtisë ndërkombëtare”. Vende anëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, shpesh kanë akuzuar Pekinin për dëmtimin e sistemit shumëpalësh të tregtisë.

Kina, megjithëse nuk është pjesë e grupit, ka dominuar axhendën. Në një artikull të 5 qershorit të botuar në gazetën Washington Post, Presidenti Biden shkruajti se G-7a do të njoftojë gjithashtu një “alternativë të standardit të lartë ndaj Kinës për përditësimin e infrastrukturës fizike, dixhitale dhe shëndetësore që do të jetë më elastike dhe do të mbështesë zhvillimin global”.

Grupi pritet të përfshijë barazinë gjinore në strategjinë e tyre të rimëkëmbjes nga pandemia, për të “rindërtuar më drejtë” një sistem ekonomie dhe arsimi që siguron që gratë të jenë në ballë të rimëkëmbjes globale.

Vendet e G-7ës janë partnerë kryesorë tregtarë dhe kolektivisht grupi përbën rreth gjysmën e ekonomisë globale.

Projekti Eden

Në fund të ditës së parë, udhëheqësit dhe partnerët e tyre morën pjesë në një pritje me Mbretëreshën Elizabeth, Princin Charles dhe Princin William dhe gruan e tij, Kate Middleton. Pritja u mbajt në Eden Project – një kopsht botanik i ndërtuar në formën e bio-kupolave që krijojnë një mjedis pyjesh tropikalë.

Takimi i G-7ës përfundon të dielën. Presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden do të vazhdojnë turneun e tyre dhe do të marrin pjesë në samitet në Bruksel me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe në takimin e shumëpritur të presidentit amerikan me Presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë të mërkurën

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...