Samiti i G7 në Londër, DW: Fotografi të bukura, vendime të paqarta

Hënë, 14 June 2021 09:02

 

Pamje piktoreske, shumë tema dhe vendime të paqarta: kjo është ajo që mbetet nga samiti i G7 në Cornwall. Shtetet e Bashkuara janë përsëri në tryezë, por vetëm kjo nuk i zgjidh problemet me klimën ose me Kinën.

Kishte shumë fotografi të bukura. Drita e diellit dhe peizazhi piktoresk i Cornwall-it ishin një mjedis i mirë për atë që ishte ndoshta sinjali më i rëndësishëm i takimit: SHBA është kthyer: “Amerika është kthyer” në vend të “Amerika e para”.

 

Multilateralizmi është përsëri i mundur. Joe Biden-i është një President i Shteteve të Bashkuara në Shtëpinë e Bardhë që mbështet Marrëveshjen e Klimës së Parisit, mbështet reformën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe dëshiron të përcaktojë një politikë të përbashkët të G7-ës për Kinën. Në konferencën e saj të shtypit, kancelarja Merkel e përmblodhi këtë me pak fjalë: “Me zgjedhjen e Joe Bidenit si president, nuk është se bota u bë e tillë që të mos ketë më probleme. Por ne mund të punojmë për zgjidhjen e këtyre problemeve me entuziazëm të ri.”

Nuk ka datë për braktisjen e qymyrit

Sidoqoftë, deklarata përfundimtare e samitit të G7-ës e bën të qartë se vendimet për shumë pika mbeten të paqarta. Pas ditëve me diell në Cornwall, mund të pasojë zhgënjimi: mallkimi i fotove të bukura është premtimi i parealizuar.

SHBA është përsëri në bord kur bëhet fjalë për mbrojtjen e klimës. Ish-Presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar daljen nga marrëveshja e klimës në Paris. Tani është bërë e qartë se G7 dëshiron t’i përmbahet qëllimit për të ulur ngrohjen globale me 1.5 gradë, nëse është e mundur. Kjo në të vërtetë nuk është shumë, sepse kjo është pikërisht ajo që parashikonin vendimet e vitit 2015, dhe masat që morën më pas shumë shtete nuk mjaftuan.

Kjo është arsyeja pse përfaqësues nga mbi 190 vende do të takohen në nëntor në Glasgow, për të bërë marrëveshje më largvajtëse. Dhe çështja do të jetë nëse vendimet e G7-ës mund të dërgojnë një sinjal të qartë për negociata të mëtejshme. Krerët e shteteve dhe qeverive nuk ranë dot dakord për një datë të përbashkët për të braktisur përfundimisht qymyrin. Premtimet për të ndihmuar financiarisht vendet e varfëra dhe ato në zhvillim për ndryshimin strukturor u përsëritën.

Sistemi i paralajmërimit të hershëm për pandeminë

Në luftën kundër pandemisë, krerët e shteteve dhe qeverive ranë dakord për një sistem paralajmërimi të hershëm. Të dhënat nga e gjithë bota do të bashkohen për të analizuar shpejt kërcënimet dhe për të zhvilluar më shpejt vaksinat dhe kapacitetet e testimit.

Përveç kësaj, shtatë vendet kryesore industriale vënë në dispozicion shumë para dhe veçanërisht doza vaksinash – më shumë se 2.3 miliardë. Organizatat joqeveritare kritikojnë se kjo shifër nuk mjafton as për së afërmi. Për imunizimin bazë nevojiten të paktën tetë miliardë doza vaksinash.

Për më tepër, për programet e vaksinimit duhet të krijohet në shumë vende infrastruktura mjekësore. Qeveria gjermane po i reziston heqjes së patentave, të cilat shumë organizata ndihmëse po i kërkojnë si parakusht për një program të fuqishëm vaksinimi në të gjithë botën.

Kundërpeshë ndaj Kinës, kritika ndaj Rusisë

Krerët e shteteve dhe qeverive gjithashtu kanë vendosur të fillojnë një program investimesh për vendet me zhvillim të shpejtë ekonomik dhe ato në zhvillim. Ai ka për qëllim të vihet përballë investimeve globale të Kinës, të cilat shpesh u nënshtrohen kushteve të rrepta dhe kanë objektiva gjeopolitikë. Vendimet janë të paqarta dhe ende jo të prekshme.

Çështja e të drejtave të njeriut tematizohet qartë në deklaratën përfundimtare dhe përmendet Kina. G7 duan t’i vënë përpara vlerat e tyre, thotë komunikata përfundimtare, “kjo përfshin thirrje ndaj Kinës për të njohur të drejtat e njeriut, veçanërisht në rajonin e Xinjiangut (…) dhe të drejtat e autonomisë për Hong Kong-un (…)” . Për më tepër, shtetet e G7-ës dëshirojnë të sigurojnë që zinxhirët e furnizimit të jenë aq të sigurtë sa të përjashtohen shkeljet e të drejtave të njeriut.

Johnsoni dhe problemi i tij me BE

Për mikpritësin Boris Johnson, bilanci i samitit është i përzierë. Ai donte të prodhonte fotografi të bukura me veten në mes. Një sinjal për votuesit e saj: Shikoni këtu, Britania e Madhe po formëson politikën e jashtme. Sidoqoftë, Johnsoni nuk arrin dakordësim me Bashkimin Evropian për Protokollin e Irlandës së Veriut dhe paralajmërohet qartë për këtë edhe nga SHBA. Ai dëshiron të lidhë marrëveshje tregtare me të gjithë botën dhe po dështon në BE, është përshtypja e krijuar. Për të në veçanti vlen: politikan vetëm në një mjedis piktoresk nuk është metodë e suksesit politik.

Rusia përmendet gjithashtu në deklaratën përfundimtare me 25 faqe. Vendi duhet të ndalojë luftën kundër mediave të pavarura dhe shoqërisë civile dhe të parandalojë sulmet kibernetike që kryhen nga territori i saj

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...