11 shtatori është data kur amerikanët mblidhen për të përkujtuar një nga ngjarjet më të trishta në historinë e kombit, sulmin terrorist të Kullave Binjake. Deri para pak javësh 20-vjetori i kësaj dite tragjike dukej paksa i lënë në hije nga sërë kërcënimesh më aktuale si: pandemia e Covid-19, ndryshimet klimatike, konkurrenca për influencë dhe avancimi ne teknologji, si dhe fuqizimi i vendeve aziatike si Kina. Kësisoj, lufta kundër terrorizmit, nëse jo e fituar mund të quhej gati-gati e përgjumur. Madje, terrori islamik për një kohë konsiderohej si një fenomen i menaxhueshëm, i kufizuar gjithnjë e më shumë në Afrikë dhe në disa raste shumë të rralla edhe në Europë. Por, historia duket se u kthye pas 20 vite. Tërheqja e turpshme pas një qëndrimi prej dy dekadash i Shteteve të Bashkuara në Afganistan, përkon me fillimin e një emirati të dytë taleban që ka futur gishtin thellë në një plagë ende të pambyllur.
Viktima më e madhe e kësaj ndodhie është koncepti i ndërtimit të kombit, por nuk mbetet pa u prekur as përgjegjësia humane për të mbrojtur ata kanë nevojë.
Joe Biden, një skeptik i një lufte afgane të shtrirë përtej qëllimeve të ngushta të antiterrorizmit, synon qartë që kjo të jëtë një pikë kthese për Amerikën. “Ky vendim ka të bëjë me përfundimin epokës së operacioneve të mëdha ushtarake për të rindërtuar vendet e tjera,” u tha ai amerikanëve javën e kaluar. Duke folur me të njëjtën “gjuhë” si paraardhësi i tij Trump, ai argumentoi se SHBA siguroi interesat e saj në Afganistan pasi Osama bin Laden u çua në “portat e ferrit” dhe kampet e trajnimit të ekstremistëve u eliminuan. Me fjalë të tjera, “departamenti i eksportit të demokracisë së ushtrisë amerikane” është mbyllur.
Kontrasti në qëndrimin që Amerika kishte në fillim të shekullit të 21-të me atë të viteve të fundit është shumë i madh.
Ndonëse në fillim ishin skeptikë, liderët amerikanë pas sulmit terrorist të 11 shtatorit ndryshuan qasjen karshi konceptit të ndërtimit të një shteti. Ish-presidenti Bush ka deklaruar se përpara se të hynte në Shtëpinë e Bardhë ishte kundër ndërhyrjes por instalimi i një administrate të miratuar nga OKB-ja dhe ardhja e forcav paqeruajtëse në Kabul e tërhoqi Amerikën të mendojë se si ta rimarrë vendin për ta bërë atë të sigurt nga terrorizmit në të ardhmen. Në prill të vitit 2002 në një fjalim në Institutin Ushtarak të Virxhinias, Bush deklaroi: “Ne e dimë se paqja e vërtetë do të arrihet vetëm kur i japim popullit afgan mjetet për të arritur aspiratat e tyre. Paqja do të arrihet duke ndihmuar Afganistanin të krijojë qeverinë e tij të qëndrueshme”.
Më vonë gjatë vitit, strategjia zyrtare e sigurisë kombëtare amerikane shkroi se përhapja e demokracisë ishte “një interes jetik kombëtar amerikan”. Në vitin 2005 Pentagoni nxori Direktivën 3000.05 duke i bërë “operacionet e stabilitetit” një mision kryesor ushtarak.
Por tërheqja nga Afganistani, vetëm krijoi një reagim të ashpër te shumë amerikanë që gjithë punën e bërë në 20 vite janë gati ta hedhin poshtë në 2 muaj. Ndihma dhe trajnimi i dy dekadave për popullin afgan nuk bënë gjë tjetër veçse shkatërruan atë pak besim që amerikanët mund të kishin se bota mund të krijohej sipas imazhit të SHBA-së. Admirali Michael Mullen, oficeri më i lartë ushtarak amerikan nën administratën Bush dhe Obamën, i cili fillimisht mbështeti fuqimisht ndërtimin e kombit afgan u bë figura e parë e lartë ushtarake që pranoi gabimin, duke thënë: “Ne duhet të kishim tërhequr trupat tanë një dekadë më parë, menjëherë pasi u vra Osama bin Laden”.
Më shumë interes tani ka marrë pikëpyetja e madhe e ngritur se pse ishte më e lehtë të qëndohej në një luftë që nuk fitohej për 20 vjet sesa të tërhiqej. Ky kuriozitet ka përfshirë edhe mediat, sidomos pas publikimit të serisë së dokumentave nga Washington Post në dhjetor të 2019 që “zbuluan se institucionet politike dhe ushtarake amerikan në mënyrë rutinore gënjenin Kongresin duke shfaqur shenja përparimi në terren, ndonëse ata e dinin mirë se misioni nuk kishte të ngjarë të kishte sukses ”.
Megjithatë ekspertët dhe analistët janë të ndarë në opinionet e tyre mbi atë kjo ngjarje përfaqson për politikën e jashtme amerikane. Stephen Ëalt, një profesor në Harvard dënon “korin e ekspertëve të nervozuar, të cilët shpallin se humbja në Afganistan e ka copëtuar besimin tek Amerika. Sipas tij, përfundimi i një lufte që nuk fitohej dot nuk tregon asgjë për gatishmërinë e një fuqie të madhe për të luftuar për objektiva më jetikë. ”
Nga ana tjetër, ka shumë analistë që kërkojnë një reflektim dhe ndryshim të objektivave të politikës së jashtme. Ben Rhodes, zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare të administratës së Barack Obama
-s, deklaroi se Libia, Iraku, Afganistani dhe Somalia do të kishin qenë më mirë pa ndërhyrjen e SHBA-ve. Ai shtoi se politikat e Shteteve të Bashkuara pas 11 Shtatorit u ripërdorën nga shtetet autoritare si Egjipti dhe Arabia Saudite që abuzuan me fuqitë e saj të ndalimit dhe mbikëqyrjes, duke bërë që SHBA të eksportonte në vende si Libia apo Afganistani shtypjen dhe jo demokracinë. E kjo sipas tij nuk ishte e gjitha. Rhodes thotë se e tërë struktura e luftës kundër terrorizmit ka nevojë të çmontohet që jo çdo ndërhyje e SHBA-së të përfundojë në dështim ose çmenduri.
“Amerika duhet të pyesë veten: çfarë duhet të bëjmë për ta mbajtur këtë vend të sigurt? Numri i militantëve është rritur çdo vit që nga 11 shtatori. Arsyeja është e qartë: ajo që ne po bëjmë është krijimi i më shumë terroristëve, ”shkroi Rhodes.
Richard Haass, kryetari i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë që nga viti 1993 dhe një diplomat veteran, ka argumentuar se edhe nëse nuk do të tërhiqeshin nga Afganistani për shkak të ndrërhyrjes së talebanëve ata nuk mund ta mbanin të uzurpuar përherë këtë vend, ata vetëm mund të linin disa trupa aty, për të krijuar idenë e një prezence amerikane vëzhguese.
Problematik nderlikohet edhe më tej kur analistë të tjerë mbrojnë ndërhyrjen, por dënojnë ekzekutimin e saj. Çfarë nënkuptohet me këtë? James Dobbins, një ish-i dërguar special në Afganistan, thotë se administrata Bush u përball me zgjedhjen midis “pushtimit të përhershëm, pushtimit periodik ose angazhimit për të ndihmuar në ndërtimin e një regjimi kompetent që do të ishte në paqe me veten dhe fqinjët e vet”. Dobbins thotë se Bushi me zgjuarsi zgjodhi rrugën e tretë, por kurrë nuk i vuri kësaj alternative në dispozicion paratë apo trupat e nevojshme që të funksiononte, pasi ishte i shpërqëndruar nga lufta në Irak.
Dominic Raab, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, ka gjithashtu pohoi se burimet nuk përputheshin kurrë me angazhimet. Richard Holbrooke, një veteran diplomatik i Vietnamit dhe përfaqësuesi i posaçëm afgan i qeverisë Obamës, i cili se instalimi i forcve amerikane dhe përpjekja për të ndërtuar një shtet mund të funksiononin në parim, por ato kërkojnë shumë përkushtim. Sipas tij kishte dy probleme specifike për Afganistanin. Angazhimi amerikan do të funksiononte vetëm nëse armiku nuk ka një vend ndërkufitar që ta ndihmojë e në këtë rast talebanët kishin Pakistanin. Përveç kësaj problematikë tjetër ishte se qeveria e asokohe e krijuar nga amerikanët nuk kishte legjitimitet dhe as nuk frymëzonte shumë popullin afgan që ta mbështeste.
Douglas Lute, i cili kaloi gjashtë vjet në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy administratave të fokusuara në Azinë Jugore, tha se SHBA kishte prioritetete të gabuara. “Ne bëmë shumë për të ndërtuar ushtrinë afgane sipas imazhit tonë, por nuk merrnim parasysh se popullsia vendase kishte 80% analfabetë, abuzues të shfrenuar të drogës, dhe ushqente një kulturë politike të korrupsionit,” tha ai. Afganët kështu nuk ishin të përgatitur për demokraci. Tek ta stabiliteti zgjaste për sa kohë kishte prezencë ushtarake që impononte rregull.
Sido që të jetë, pas tërheqjes nga Afganistani ngrihen tre problematika. Nëse shtetet demokratike dalin në përfundimin se ndërhyrja ushtarake, qoftë edhe për të rikthyer stabilitetin dhe për tëgarantuar demokracinë në vende në krizë, nuk mund të funksionojë, a do të ndjekin shembullin e tyre edhe vendet autokrate? Kush mund të na e garantojë pra që këto vende nuk do të ndërhyjnë në shtete në nevojë duke shkaktuar gjendjen e luftrave të përjetshme? Kush mund të sigurojë që fantazia e ndërtimit të kombeve nuk ka përfshirë edhe vende të tjera joperëndimore?
Së dyti, nëse ndërhyrja ushtarake është delegjitimuar nga ajo çfarë ndodhi në Afganistan, çfarë objektivash mund të arrihen ende ushtarakisht dhe si mund të përmbushen ato në mungesë të SHBA? Ish-kryeministri i Britanisë, Blair, ka frikë se shtete si Nigeria apo Sudani mund të lihen në harresë dhe të shpërbëhën ndërsa gjenocidet vazhdojnë. Kthimi tek truket e vjetra si: sanksionet ekonomike, izolimi politik, referimi në gjykatën penale ndërkombëtare, presioni diplomatik; vështirë se ka funksionuar në Siri ose Bjellorusi.
Së fundi, nëse ndërhyrjet ushtarake nuk do të realizohen më atëherë si do të luftohet kundër-terrorizmit, luftë kjo në të cilën Biden këmbëngul se SHBA-ja mbetet e angazhuar? Ish-drejtori i CIA-s, Mike Hayden, argumentoi se sulmet me dronë mund të godisnin udhëheqësit e al-Kaidës apo terroristë të tjerë, por ato janë të vlefshme vetëm nëse janë të lidhur me trupat në terren.
Suzanne Raine, ish-drejtoreshë e qendrës për analizën e terrorizmit të qeverisë britanike, tha javën e kaluar se informacioni që Biden do të marrë do të jetë tanimë i prekshëm përherë nga dezinformatat, paragjykimet dhe manipulimet. Sipas saj, Biden ka humbur mundësinë për të ditur se si mendojnë kundërshtarët e perëndimit. Në një ese që përkonte me përvjetorin e 11 Shtatorit ajo paralajmëroi:“Grupime që kanë komanda të ndryshme, po zgjohen kudo nga Nigeria dhe Burkina Faso në Mozambik dhe Afganistan, Maldive, Indonezi dhe Filipine. Kalifati ka mbështetës në të gjithë botën, shumë prej të cilëve kanë luftuar dhe janë të gatshëm të luftojnë përsëri. Ka më shumë se 60,000 luftëtarë dhe familje në kampe dhe burgje në Siri dhe Irak që mbështesin Kalifatin. Ndërkohë, përmes një vidoe të postuar online, filiali i al-Kaidës në Siri në janar ka inkurajuar për sulme kundër perëndimit. Besohet se të paktën gjysma e anëtarësisë së saj janë të huaj, ku udhëheqin egjiptianët dhe tunizianët. Ky nuk është përparim. ”