Nga Thomas L.Friedman - 09/09/2021
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani pas një përpjekjeje të dështuar 20-vjeçare për ndërtimin e kombit, ka bërë që shumë amerikanë të thjeshtë dhe analistë të thonë: ‘Sikur ta dinim atëherë atë që dimë tani, nuk do të kishim ndjekur kurrë atë shteg!’.
Unë nuk jam i sigurt nëse kjo është e vërtetë. Megjithatë ngre këtë pyetje:Çfarë po bëjmë sot në politikën e jashtme, që kur ta kthejmë kokën prapa pas 20 viteve të themi sërish:’Sikur ta dinim atëherë atë që dimë tani, nuk do të kishim ndjekur kurrë atë shteg!’. Përgjigja ime mund të përmblidhet me një fjalë:Kina.
Dhe frika ime mund të përmblidhet në vetëm disa paragrafë:40 vitet nga 1979 deri në vitin 2019, ishin epokale në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Pati sigurisht shumë ulje-ngritje, por në përgjithësi ajo ishte një epokë e integrimit të qëndrueshëm ekonomik midis dy vendeve tona.
Thellësia e atij integrimi SHBA-Kinë, ndihmoi në nxitjen e një globalizimi shumë më të thellë të ekonomisë botërore, dhe në garantimin e 4 dekadave të një paqeje relative midis dy fuqive të mëdha të botës. Dhe mos e harroni asnjëherë:janë konfliktet midis fuqive të mëdha, ato që na sjellin luftëra botërore me pasoja tejet destabilizuese.
Ajo epokë e artë e globalizimit SHBA-Kinë, la të papunë disa punëtorë amerikanë, teksa hapi ndërkohë tregje të reja të mëdha eksporti për të tjerët. Ajo nxori nga varfëria qindra miliona njerëz në Kinë, Indi dhe Azinë Lindore, ndërsa i bëri shumë produkte shumë më të përballueshme për më shumë konsumatorë amerikanë.
Pra paqja dhe prosperiteti relativ që përjetoi bota në ato 40 vite, nuk mund të shpjegohet pa iu referuar lidhjes SHBA-Kinë. Megjithatë, gjatë 5viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë ecur në rrugën e de-integrimit dhe ndoshta drejt konfrontimit të plotë midis tyre. Sipas mendimit tim, është stili i udhëheqjes gjithnjë e më ngacmues i Kinës brenda dhe jashtë vendit, politikat e saj tregtare hileqare dhe ndryshimi i strukturës së saj ekonomike, ato që janë kryesisht përgjegjëse për këtë përmbysje të situatës.
Nëse vazhdohet në këtë linjë, shanset janë që të dyja vendet – për të mos përmendur shumë të tjera – të kthejnë kokën prapa pas 20 vjetësh, dhe do të thonë se bota u bë një vend më i rrezikshëm dhe më pak i begatë, për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kinës në fillimin e viteve 2020.
Se këta dy gjigantë kaluan nga bërja e biznesit në një tryezë,dhe goditja herë pas here e njëri -tjetrit nën tryezë, në bërjen e shumë më pak punëve në tryezë, dhe goditjen sërish ndaj njëri-tjetrit shumë më fort nën tryezë. Aq shumë sa që rrezikojnë ta thyejnë ‘tryezën’, dhe ta lënë të çalë njëri -tjetrin.
Kjo do të thotë se do të ketë një botë shumë më pak të aftë për të menaxhuar ndryshimet klimatike, humbjen e biodiversitetit, hapësirën kibernetike dhe zonat kaotike në rritje. Por, para se të kalojmë nga ‘bashkëpunimi’ tek konfrontimi me Kinën, duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje të vështira.
Edhe Kina duhet të bëjë të njëjtën gjë. Sepse të dyve mund të na mungojë vërtet kjo marrëdhënie, kur ajo të jetë zhdukur. Së pari, ne duhet të pyesim: Cilat aspekte të konkurrencës/konfliktit tonë me Kinën janë të pashmangshme, midis një fuqie në rritje dhe një fuqie të statuskuose, dhe çfarë mund të zbehet nga politika e zgjuar e 4 dekadave të fundit?
Le të fillojmë me të pashmangshmen. Për gati 30 vitet e para të 40 viteve integrim ekonomik, Kina na shiti ato që unë e quaj ‘produkte të thjeshta’ – këmisha, këpucë tenisi, apo panele diellore që i vendosnim mbi çatitë tona.
Ndërkohë, Amerika i shiti Kinës ‘produkte të sofistikuara’ – softuerë dhe kompjutera që depërtuan thellë në sistemin e saj, për të cilat Kina kishte nevojë, dhe që mund t’i blinte vetëm nga ne.
Sot Kina mund të prodhojë gjithnjë e më shumë nga këto ‘produkte të sofistikuara’ – si sistemet e telekomunikacionit 5G nga Huauei. Por ne nuk kemi midis nesh besimin e përbashkët, sa për të instaluar teknologjitë e saj në shtëpitë, dhomat e gjumit dhe bizneset tona.
Apo edhe për t’i shitur Kinës produktet tona më të sofistikuara, si mikroçipat e fjalës së fundit të teknologjisë. Kur Kina na shiti ‘produkte të thjeshta ‘, neve nuk na interesonte nëse qeveria e saj ishte autoritare, libertariane apo vegjetariane.
Por kur bëhet fjalë për blerjen e ‘produkteve të sofistikuara’ të Kinës, vlerat e përbashkëta kanë rëndësi, dhe ato nuk janë aty. Pastaj është strategjia udhëheqëse e presidentit kinez Xi Jinping, që ka synuar ta shtrijë kontrollin e Partisë Komuniste në çdo aspekt të shoqërisë, kulturës dhe tregtisë së vendit.
Kjo qasje, e ka përmbysur trajektoren e hapjes graduale të Kinës ndaj botës që nga viti 1979. E kombinuar me vendosmërinë e Xi, se Kina nuk duhet të jetë më kurrë e varur nga Amerika për teknologjitë e përparuara, dhe me gatishmërinë e Pekinit për të bërë gjithçka që duhet – të blejë, vjedhë, kopjojë, shpikë apo frikësojë- për ta garantuar këtë, dhe ja ku kemi një Kinë shumë më agresive.
Por Xi e ka tepruar. Niveli i vjedhjes së teknologjisë dhe i depërtimit në institucionet amerikane është bërë i patolerueshëm. Për të mos përmendur vendimin e Kinës për të shtypur demokracinë në Hong Kong, për të zhdukur kulturën e ujgurëve myslimanë në Kinën Perëndimore, dhe për të përdorur fuqinë e saj ekonomike dhe diplomatët e saj për të frikësuar vendet fqinje si Australia, vetëm sepse kjo e fundit kërkoi një hetim profesional dhe të drejtë mbi origjinën e koronavirusit në Vuhan.
Xi po e kthen të gjithë botën perëndimore kundër Kinës – do ta shohim këtë kur Kina të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 – dhe e ka nxitur president aktual amerikan dhe paraardhësin e tij, që ta identifikojë kundërshtimin e Kinës si objektivin strategjik nr.1 të Amerikës.
Por a e kemi menduar vërtet se si ta menxhojmë këtë? Nader Mousavizadeh, themelues dhe drejtues i’Macro Advisory Partners’, një kompani konsulente mbi gjeopolitikën, sugjeron që nëse tani SHBA-ja do ta zhvendosë fokusin nga Lindja e Mesme në një strategji të pakthyeshme drejt përballjes me Kinën, ajo duhet ta nisë këtë duke shtruar 3 pyetje themelore:
Së pari, a jemi të sigurt se e kuptojmë si duhet dinamikën e një shoqërie të madhe dhe në ndryshim si Kina, sa të arrijmë në përfundimin se misioni i saj i pashmangshëm është përhapja globale e autoritarizmit?
Së dyti, thotë Mousavizadeh, që ka qenë dikur këshilltar i vjetër i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB -së Kofi Annan, ‘nëse besojmë se rrjeti ynë i aleancave është një pasuri unike e Amerikës, a jemi konsultuar sa duhet me aleatët tanë aziatikë dhe evropianë?
Nuk ka dyshim se mënyra më e mirë që Amerika të kundër-balancojë rritjen e Kinës, është duke bërë atë që Kina urren më shumë:duke e përballuar sfidën e Pekinit me një koalicion të gjerë transnacional,të bazuar në vlerat e përbashkëta universale në lidhje me sundimin e ligjit, tregtinë e lirë, të drejtat e njeriut dhe bazat standardet e kontabilitetit.
Kur e shndërrojmë konfrontimin me Kinën në një garë midis 2 presidentëve, Xi mund ta rreshtojë me lehtësi në anën e tij të gjithë nacionalistët kinezë. Por kur ia kundërvëmë gjithë botën e lirë Kinës, në raport me ato që janë normat më të mira dhe më të drejta ndërkombëtare, ne izolojmë fanatikët e regjimit, dhe fitojmë më shumë reformatorë kinezë në anën tonë.
Pyetja e tretë, argumenton Mousavizadeh, është nëse besojmë se përparësia e SHBA-së pas një lufte 20-vjeçare kundër terrorizmit, duhet të jetë ‘rimëkëmbja e infrastrukturës në shtëpi, pra duke adresuar defiçitet në infrastrukturë, arsim, të ardhura dhe barazi racore, është më e dobishme apo më e rrezikshme për të nxjerrë më në pah kërcënimin e Kinës?
Mund të duhet shumë sforco t’i angazhosh amerikanët të merren seriozisht me ripërtëritjen kombëtare. Por kjo mund të nxisë një debat më të gjerë mbi marrëdhënien SHBA-Kinë, duke prekur gjithçka, nga zinxhirët e furnizimit deri tek shkëmbimet studentore, deri tek blerjet nga Kina të obligacioneve të qeverisë amerikane.
Në çdo rast, kjo do të ishte lista ime fillestare, para se të kalojmë nga lufta kundër terrorizmit, në luftën kundër Kinës. Le të nisim të mendojmë vërtet mbi këtë debat. Nipërit tanë do të na falënderojnë në vitin 2041. (Alket Goce-abcnews.al)
Shënim-Thomas L.Friedman është kolumnist i rregullt i ‘The New York Time’, fitues i 3 çmimeve Pulitzer në gazetari. Ai është autor i 7 librave, përfshirë më të fundit me titull ‘Nga Bejruti në Jerusalem’.