Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç deklaron se vendi i tij nuk do të dërgojë asnjë ushtar, në kuadër të NATO-s, në rast se shpërthen konflikti i armatosur në lindje, mes Ukrainës dhe Rusisë.
Deklarata e Milanoviç vjen në një kohë kur tensionet kanë arritur majat dhe agresioni rus duket gjithnjë e më pranë Ukrainës.
Kriza mes Ukrainës dhe Rusisë është serioze, tha kreu i shtetit kroat, ndërsa shtoi se kjo krizë u nxit nga dinamika e brendshme e politikës amerikane të administratës Biden.
"Kriza nuk ka të bëjë me Ukrainën apo Rusinë, por ka të bëjë me Joe Biden dhe qeverinë e tij", tha Milanoviç, duke theksuar se ai sheh mospërputhje dhe sjellje të rrezikshme nga ana e SHBA për çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
"Nëse situata përshkallëzohet, Kroacia (anëtare e NATO-s) nuk do të përfshihet me asnjë ushtar", tha kreu i shtetit, njëherazi komandanti i përgjithshëm i ushtrisë kroate.
Milanoviç thotë gjithashtu se për Ukrainën nuk ka vend në NATO, ndërsa shtoi se edhe Finlanda, Austria e Suedia nuk bëjnë pjesë në Aleancë, por janë shtete të sigurta