‘Të ndalojmë diktatorin Putin, nëse është e nevojshme ushtarakisht, diplomatikisht, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kjo aventurë e tmerrshme dhe barbare e diktatorit Vladimir Putin duhet të përfundojë me dështim’.
Kështu u shpreh kryeministri britanik, Boris Johnson, gjatë një konference për shtyp emergjente, për ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
‘Vladimir Putin sulmoi një vend mik, pa asnjë provokim dhe justifikim. Frika jonë më e madhe u bë realitet’, shtoi Johnson.
Kryeministri britanik iu drejtua dhe popullit rus se nuk mund ta besojë që kjo gjë është bërë në emrin e tyre. Johnson gjithashtu i bëri thirrje Europës t’i japë fund varësisë ndaj naftës dhe gazit rus.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Britanik:
Pak pas orës 4 të mëngjesit të sotëm, fola me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy për të ofruar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, sepse frika jonë më e keqe tashmë është bërë realitet dhe të gjitha paralajmërimet tona rezultuan tragjikisht të sakta.
Presidenti i Rusisë Putin ka nisur luftën në kontinentin tonë evropian. Ai ka sulmuar një vend mik pa asnjë provokim dhe pa asnjë justifikim të besueshëm.
Raketa dhe bomba të panumërta kanë rënë mbi një popullsi krejtësisht të pafajshme.
Një pushtim që po zhvillohet nga toka, nga deti dhe nga ajri.
Ne kemi miq ukrainas në Britani– fqinjë, bashkëpunëtorë.
Ukraina është një vend që për dekada ka gëzuar lirinë, demokracinë dhe të drejtën për të zgjedhur fatin e saj.
Ne – dhe bota – nuk mund të lejojmë që kjo liri të shuhet. Ne nuk mund dhe nuk do të shikojmë tjetërkund.
Kjo është për shkak se ne kemi qenë kaq të alarmuar në muajt e fundit nga kërcënimet ruse, saqë Mrebtëria e Bashkuar u bë një nga vendet e para në Evropë që dërgoi armatim mbrojtës për të ndihmuar ukrainasit.
Aleatët e tjerë kanë bërë të njëjtën gjë dhe ne do të bëjmë atë që mundemi në ditët në vijim.
Sot, në bashkëpunim me aleatët tanë, ne do të biem dakord për një paketë masive sanksionesh ekonomike të hartuara në kohë për të penguar ekonominë ruse.
Dhe për këtë qëllim, ne gjithashtu duhet të heqim kolektivisht varësinë nga nafta dhe gazi rus që për një kohë të gjatë i ka dhënë kontroll Putin-it në politikën perëndimore.
Misioni ynë është i qartë.
Diplomatikisht, politikisht, ekonomikisht – dhe përfundimisht edhe ushtarakisht – kjo sipërmarrje e shëmtuar dhe barbare e Vladimir Putin-it duhet të përfundojë me dështim.
Dhe kështu i them popullit të Rusisë, presidenti i së cilës sapo ka autorizuar një valë dhune kundër një tjetër populli sllav.
Prindërit e ushtarëve rusë që do të humbasin jetën. Nuk mund ta besoj se kjo po bëhet në emrin tuaj.
Dhe unë u them ukrainasve në këtë moment agonie – ne jemi me ju, po lutemi për ju dhe familjet tuaja dhe jemi në anën tuaj.
Dhe nëse muajt në vazhdim janë të zymtë dhe flaka e lirisë digjet e ulët, unë e di se do të flakërojë përsëri në Ukrainë, sepse me gjithë bombat, tanket dhe raketat e tij nuk besoj se diktatori rus do të nënshtrojë ndonjëherë ndjenjën kombëtare të ukrainasve dhe besimin e tyre se Ukraina duhet të jetë i lirë.
Ne jemi të bashkuar në zemërimin tonë me miqtë dhe aleatët në mbarë botën.
Ne do të punojmë me ta – sado kohë që të kërkojë – për të siguruar se sovraniteti dhe pavarësia e Ukrainës të rivendoset, sepse ky akt agresioni është një sulm jo vetëm ndaj Ukrainës.
Është një sulm ndaj demokracisë dhe lirisë në Evropën Lindore dhe në mbarë botën.
Kjo krizë ka të bëjë me të drejtën e një populli të pavarur dhe të lire evropian,për të zgjedhur të ardhmen e tij.
Dhe kjo është një e drejtë që Mbretëria e Bashkuar do ta mbrojë gjithmonë