Makthi i Macronit tani është i plotë

Tuesday, 21 June 2022 11:54

 

Nga Jonathan Miller - 20/06/2022

Presidenti francez Emmanuel Macron është poshtëruar nga votuesit vetëm pak javës pas rizgjedhjes nga një elektorat joentuziast.

Superpresidenti me ambicie për të udhëhequr Evropën duket se nuk do të jetë në gjendje të udhëheqë as Francën. Projekti i tij legjislativ, drejtuar nga reforma e pensioneve dhe rritja e moshës së daljes në pension, duket i destinuar për dështim. Franca duket më e paqeverisshme se kurrë. Ekziston mundësia që parlamenti të shpërndahet brenda një viti dhe të mbahen zgjedhje të reja. Është një skenar makthi për presidentin, shkruante sot në mëngjes Le Monde.

Rezultati i zgjedhjeve është shumë më i keq për Macron nga sa ishte parashikuar. Për herë të parë në republikën e pestë presidenti dështon të fitojë shumicën parlamentare. Ai humbi aleatë parlamentarë kyç, përfshirë Richard Ferrand, kryetar i Asamblesë Kombëtare; Christophe Castaner, ish-ministri i brendshëm i tij i cili drejtoi shtypjen brutale të protestave të jelekverdhëve; Amélie de Montchalin, ministre mjedisi; Justine Bénin, sekretare shteti për detin; dhe Brigitte Bourguignon, ministre e shëndetësisë dhe solidaritetit social.

 

Kryeministrja e Macronit, Élisabeth Borne, një teknokrate e parashutuar në atë që mendohej të ishte një post i sigurt, dhe që ka karizmën politike të një karote, mezi fitoi kundër një kandidati të panjohur të Mélenchonist Nouvelle Union Populaire Écologique et Sociale.

Shumica e vetme e qartë në parlamentin e ri do të jenë euroskeptikët e majtë e të djathtë, çka e bën ambicien e Macronit për një rilindje evropiane të udhëhequr prej tij të duket jorealiste. Elektorati e injoroi në masë paralajmërimin e tij se kundërshtarët ishin ‘ekstremistë të rrezikshëm’. Ajo e Macronit tani është një presidencë ‘lindur e vdekur’, sipas Alexis Brézet, kryeredaktor i Le Figaro.

Rassemblement National e Marine Le Pen e rriti përfaqësimin nga nëntë vende në 89. Koalicioni Mélenchon i të majtëve ekstremë, komunistëve, të gjelbërve e socialistëve do të ketë rreth 131 vende nga 17 më 2017.

Macron, i cili i paralajmëroi votuesit me terma thuajse histerikë kundër zgjedhjes së ekstremistëve të majtë e të djathtë, kishte nevojë për 289 vende që aleanca e tij Ensemble të ruante shumicën. Fitoi 245, duke humbur 154 nga deputetët e tij të zgjedhur më 2017.

Les Républicains centristë fituan 64, me 46 vende të mbetura për një numër partish të vogla. Vetëm 46% votuan, pjesëmarrja më e ulët që më 1958; 54% abstenuan. Edhe kanali BFMTV, mbështetës i fortë i Macronit, e quajti rezultatin katastrofë.

‘Situata është e paprecedent, në një konfigurim që nuk është parë kurrë në Republikën e Pestë’, tha mbrëmë kryeministrja Borne. Macron deri tani ka heshtur.

Gjenerali De Gaulle e ndërtoi Republikën e Pestë për të tredhur parlamentin e për t’i dhënë fund kaosit të Republikës së Katërt. Kështu që tani jemi kthyer në një lloj kopjeje të së katërtës. Një koalicion i qëndrueshëm (bashkëjetesë) duket i pamundur dhe çmimi i kërkuar duket i lartë.

Macron tani duhet të shpresojë në krijimin e komisioneve parlamentare ad hoc për të miratuar reformat, por ka pak aleatë dhe do të paguajë çmim të lartë. Républicains e kanë përjashtuar bashkëjetesën me të, e cila do t’i jepte shumicën, ndonëse pa dyshim që ai mund të marrë me forcë diçka.

‘Ai është i vendosur të veprojë, i fortë e i qetë, me vullnetin për të ecur përpara për vendin’, tha mbrëmë një nga aleatët e tij pas një takimi në Élysée me Élisabeth Borne, Édouard Philippe, François Bayrou, Stanislas Guerini e Clément Beaune.

Votuesit francezë po konsolidohen në grupe të papajtueshëm që prodhojnë paqëndrueshmëri politike sistematike: Macron është jo vetëm i pazoti të bashkojë vendin, ai ka edhe përgjegjësinë e madhe për përçarjen e tij. Shkalla e zhgënjimit në kampin e presidentit ilustrohet fuqishëm nga fjalët e mbrëmshme të zëdhënësit të Macronit: ‘Është një vend i parë zhgënjyes, por megjithatë është vend i parë’.

Macron fitoi presidencën në prill sepse një shumicë votuesish menduan se Le Pen do të ishte edhe më keq. Por ai nuk gëzon simpati. Tani është i dënuar të udhëheqë mbi një kaos në rritje teksa Franca përballet me krizën e borxhit dhe në koston e jetesës, me një deficit buxhetor që nuk është zbutur as nën taksat më të larta në Evropë, me krizën e energjisë, me krizat në shkolla e spitale, dhe me krizën e rendit publik, e gjitha në mes të konfliktit ushtarak më të madh në Evropë që nga 1945.

Çfarë pritet tjetër? Më lejoni të spekuloj. Koalicioni majtist i Jean-Luc Mélenchon do të çahet, pa dyshim. Oportunistë të ndryshëm Républicains mund të rreshtohen përkrah Macronit, por do të kërkojnë çmim të kripur. Elisabeth Borne me shumë gjasa do të ketë jetëgjatësi edhe më të shkurtër në post se sa paraardhësja e vetëm femër, Edith Cresson (e cila i quajti burrat britanikë homoseksualë dhe japonezët milingona), që zgjati më pak se një vit. Dhe Macron do shfaqet pompoz në skenën botërore, duke bërë sikur asgjë nuk ka ndodhur

Login to post comments

Lajmet e fundit

Berisha: Hapja e negociatave do e motivojë edhe më shumë protestën

Politikë

Berisha: Hapja e negociatave do e motivojë edhe më shumë protestën

  Kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi në konferencën e përjavshme mundësinë e hapjes së negociatave me BE-në dhe ndikimin që do ketë një vendim i tillë te protesta. Berisha tha se...

Merr fund gjyqi historik në Paris: Terroristi Salah Abdeslam merr dënimin e përjetshëm

Globi

Merr fund gjyqi historik në Paris: Terroristi Salah Abdeslam merr dënimin e përjetshëm

  Sulmuesi i vetëm i mbijetuar nga grupi që kreu sulmet e nëntorit 2015 në Paris është shpallur fajtor për akuza për terrorizëm dhe vrasje. Salah Abdeslam mori një dënim të rrallë...

Stina e verës dhe rreziku nga zjarret/ Mos bëni kompromise me pronën tuaj. SIGUROHENI NË SIGAL

Aktualitet

Stina e verës dhe rreziku nga zjarret/ Mos bëni kompromise me pronën tuaj. SIGUROHENI NË SIGAL

  Na pret përpara një verë e gjatë dhe tejet e nxehtë. Ky është parashikimi që bëjnë meteorologët dhe që në maj u përballëm me temperatura jo normale për muajinn.Ndërkohë nuk...