Munsch: Prezenca e KFOR-it ndaloi përshkallëzimin drejt një situate më të rëndë

Tuesday, 10 October 2023 12:09
“KFOR-i vazhdon të operojë në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)...”, ka thënë në një intervistë për “Kohën Ditore” komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali Stuart B. Munsch
 

Prania e trupave të KFOR-it në ditën kritike të 24 shtatorit kur grupi serb sulmoi policinë e Kosovës ka ndihmuar në ndalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës, ka thënë komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali Stuart B. Munsch. Megjithëkëtë, në intervistën dhënë KOHËS, ai ka theksuar se hetimet rreth rastit, përfshirë rrethanat si u fut grupi i armatosur dhe armatimi i rëndë, i bën Policia e Kosovës dhe jo forca e NATO-s, e cila në Kosovë vepron sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara që i kishte dhënë fund luftës në Kosovë.

“Origjina e armëve ilegale të konfiskuara nga policia e Kosovës është duke u hetuar nga Policia e Kosovës. Mandati i KFOR-it nuk përfshin aktivitetet e zbatimit të ligjit. Këto janë prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”, ka potencuar Munsch.

Pavarësisht rritjes së gatishmërisë luftarake nga ana e Serbisë me pozicionimin e ushtrisë përreth kufirit me Kosovën, admirali i NATO-s ka thënë se krahas institucioneve vendore, konsultimet politiko-ushtarake zhvillohen çdo ditë në nivele të ndryshme ndërmjet KFOR-it dhe autoriteteve ushtarake serbe.
 

Në përgjigje të situatës së fundit, sipas Munsch-it, KFOR-i ka shtuar trupat dhe patrullimet në veri të vendit. Ai u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për t'u riangazhuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

KOHA: Më 24 shtator, polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në operacionin pasues, nga përplasja e policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Sa ka qenë i përfshirë KFOR-i në këtë operacion dhe cilat veprime i ka ndërmarrë?

Munsch: Së pari, dëshiroj t'i shpreh sërish ngushëllimet tona të sinqerta familjes së policit të vrarë në incident dhe ta dënoj fuqishëm këtë sulm të dhunshëm. Kjo çështje është trajtuar nga Policia e Kosovës, e cila është përgjegjësja e parë në këto çështje, në përputhje me përgjegjësitë e saj për zbatimin e ligjit. Prania e trupave të KFOR-it në atë zonë ndaloi ngjarjet që do të përshkallëzonin në një situatë më të rëndë.

KFOR-i vepron në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Ne jemi duke monitoruar nga afër situatën në Kosovë dhe kemi rritur praninë dhe qëndrimin e KFOR-it me patrulla dhe trupa shtesë nga forcat rezervë të NATO-s. Misioni KFOR i NATO-s mban një prani të dukshme dhe të shkathët në mbarë Kosovën. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i t’i ketë forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për t'iu përgjigjur çdo situate.

KOHA: Policia e Kosovës konfiskoi arsenal të madh armatimi përreth zonës ku ka qëndruar grupi sulmues, përfshirë vetura të kamufluara nën logon e KFOR-it. Si ka hyrë ky armatim dhe çfarë do të thotë kjo për sigurinë e kufijve të Kosovës, ruajtja e të cilëve është në mandatin e KFOR-it?

Munsch: Origjina e armëve ilegale të konfiskuara nga policia e Kosovës është duke u hetuar nga Policia e Kosovës. Mandati i KFOR-it nuk përfshin aktivitetet e zbatimit të ligjit. Këto janë prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës.

Munsch: Mandati i KFOR-it nuk përfshin aktivitetet e zbatimit të ligjit. Këto janë prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik.

Në përgjigje të tensioneve të fundit, ne kemi rritur praninë dhe qëndrimin e KFOR-it me trupa dhe patrulla shtesë. Ne po monitorojmë nga afër situatën. Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet, për të hequr dorë nga dhuna dhe për t'u riangazhuar në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja në mënyrë konstruktive.

KOHA: Në ditën kritike të 24 shtatorit, pelegrinët që kishin qenë brenda Manastirit të Banjskës deklaruan se në orët e fundit të operacionit KFOR-i hyri në Manastir për të legjitimuar njerëzit atje. Megjithatë, sipas tyre, KFOR-i e ka injoruar grupin e armatosur, edhe pse të njëjtët ishin të armatosur me armë të gjata. A ka hyrë KFOR-i para policisë së Kosovës dhe pas legjitimimit a kanë lejuar largimin e personave të armatosur?

Munsch: Kjo çështje është trajtuar nga Policia e Kosovës, e cila është reaguese e parë në këto çështje. KFOR-i u koordinua ngushtë dhe ndihmoi për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. KFOR-i vazhdon të operojë në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si reagues të parë, të dytë, përkatësisht të tretë. KFOR-i ka një prani të dukshme dhe të shkathët në terren për të trajtuar çdo situatë të sigurisë.

KOHA: Ditën kur ndodhi sulmi, komandanti i KFOR-it deklaroi se janë në komunikim me shefin e ushtrisë së Serbisë, prej ku dyshohet së është futur grupi terrorist. Çfarë është diskutuar me shefin e armatës serbe?

Munsch: Sikurse të gjithë komandantët e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia mban kontakte shumë të ngushta me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë Policinë e Kosovës, organizatat e sigurisë së Kosovës, EULEX-in dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë. Këto kontakte janë thelbësore për të reduktuar keqkuptimet e mundshme dhe llogaritjet të gabuara, si dhe janë kyç për krijimin e kushteve për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal.

KOHA: Dy ditë para sulmit, më 22 shtator, Serbia vendosi një numër të madh trupash afër kufirit me Kosovën. Pse nuk u pa si kërcënim kjo prani e konsiderueshme e ushtrisë serbe në kufi?

Munsch: KFOR-i ka komunikime të forta si me institucionet e Kosovës ashtu edhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Ne presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me NATO-n dhe të përmbahen nga veprimet provokuese që mund të çojnë në dhunë. Dialogu konstruktiv është e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet. NATO-ja vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si platforma më e mirë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

KOHA: A do të ndikojnë ngjarjet në Banjskë në ndryshimin e qasjes së NATO-s ndaj çështjeve të sigurisë? Në këtë aspekt, si po planifikon NATO-ja të kthejë besimin e qytetarëve të Kosovës se KFOR-i nuk do të lejojë përsëritjen e skenarit të 24 shtatorit?

Munsch: Nën dritën e zhvillimeve të fundit, KFOR-i po rrit praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës për t’u siguruar që vijon të përmbushë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it me trupa shtesë nga forcat rezervë të NATO-s. Ne dislokuam rreth 500 trupa turke në qershor, të cilat së fundmi janë zëvendësuar me trupa nga Bullgaria dhe Greqia. Në dritën e ngjarjeve të fundit në shtator, ne po dërgojmë përforcime shtesë. Mbretëria e Bashkuar është duke dislokuar rreth 200 ushtarë për t'iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po stërvitet në Kosovë. Rumania ka njoftuar gjithashtu për përforcime të mëtejshme.

Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij që buron nga OKB-ja. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në mbarë rajonin në koordinim të ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë, dhe komunitetin diplomatik.

NATO-ja do të vazhdojë të sigurojë që komandanti ynë i KFOR-it të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij. Sipas nevojës, ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme sa i përket prezencës së KFOR-it.

KOHA: A do të vazhdojë KFOR-i të bashkëpunojë me autoritetet ushtarake serbe, duke pasur parasysh se Serbia po e mban ushtrinë në gatishmëri lufte? A është ky tregues se Serbia nuk i beson NATO-s?

Munsch: Konsultimet politiko-ushtarake zhvillohen çdo ditë në nivele të ndryshme ndërmjet KFOR-it dhe autoriteteve ushtarake serbe, duke përfshirë edhe një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi ndërmjet shefit të Forcave të Armatosura Serbe dhe komandantit të misionit tonë të KFOR-it.

NATO-ja ka zhvilluar një partneritet të gjatë të dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik me Serbinë. Ne e respektojmë plotësisht politikën e deklaruar të Serbisë për neutralitet ushtarak. Në të njëjtën kohë, ne kemi një partneritet të vendosur me Serbinë, bazuar në një kombinim të dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik në fusha të ndryshme, në kuadër të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Siç e bënë të qartë udhëheqësit e NATO-s në Samitin e tyre të fundit në Vilnius, forcimi i marrëdhënieve NATO-Serbi do të ishte në dobi të Aleancës, Serbisë dhe të gjithë rajonit, i cili ka një rëndësi strategjike për NATO-n.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...