Para takimit të ministrave të Mbrojtjes së aleancës ushtarake perëndimore, Smith tha për gazetarët se pas rritjes së dhunës në veri të Kosovës, në selinë e NATO-s ishin monitoruar nga afër zhvillimet në terren.
“Të gjithë ne këtu në selinë e NATO-s, të gjithë aleatët e kemi monitoruar situatën në terren në Ballkanin Perëndimor. Kemi qenë të shqetësuar për rritjen e shenjave për paqëndrueshmëri dhe disa pika shpërthyese ku si pasojë pamë rritje të dhunës. Për këtë arsye, KFOR-i ka marrë disa vendime në ditët e kaluara për përdorimin e forcave strategjike rezervë”, tha ajo, duke shtuar se në Kosovë është rritur prania e ushtarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Rumania dhe shtetet e tjera.
Pasi më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, NATO njoftoi për dërgimin e ushtarëve shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Si pasojë e sulmit në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve mes policisë dhe grupit të armatosur u vranë tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Ambasadorja Smith tha se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen me komandantin e forcave të NATO-s, gjeneralin Christopher Cavoli, për të parë nëse ka nevojë për ndihmë shtesë në mënyrë që KFOR-i të ketë mundësi të kryejë mandatin në Kosovë dhe të përballet me të gjitha sfidat eventuale.