Erdogan tek Scholz, ndasi të thella midis Turqisë dhe Gjermanisë për luftën Izrael - Hamas

Saturday, 18 November 2023 12:14

Berlin – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz shfaqën të premten ndasi të thella për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa udhëheqësi turk bëri një vizitë të tensionuar dhe të shkurtër në Berlin, shkruan AP, përcjell Zëri i Amerikës.

Zoti Erdogan ishte ftuar të vizitonte Gjermaninë muaj më parë pasi u rizgjodh, por gjatë javëve të fundit shkaktoi shqetësim në Berlin qëndrimi i tij gjithnjë e më i ashpër ndaj Izraelit.

Turqia është parë gjithnjë si një partnere e pazakontë, por thelbësore për Gjermaninë, ku gjenden mbi 3 milionë persona me origjinë turke. Turqia është edhe vend anëtar i NATO-s, që ka gjithashtu rol të rëndësishëm për të vendosur nën kontroll prurjet e refugjatëve dhe emigrantëve drejt Evropës, një çështje për të cilën zoti Scholz përballet me trysni të madhe brenda vendit. Mes dy vendeve ka patur tension të shpeshtë gjatë viteve të fundit.

Ndasia më e fundit mes dy vendeve u krijua me qëndrimet pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor.

 
 

Gjermania është një aleate e vendosur e Izraelit dhe ka kundërshtuar thirrjet për armëpushim, ndërkohë që ka nxitur dërgimin e ndihmave për civilët në Gazë, ka kërkuar “pauza humanitare” dhe është përpjekur të mbajë hapur kanalet e komunikimit me vendet e tjera në rajon, për të parandaluar përhapjen e konfliktit.

Presidenti turk Erdogan e quajti këtë javë Izraelin një “vend terrorist” që synon të shkatërrojë Gazën dhe të gjithë banorët e saj. Ai i ka përshkruar militantët e Hamasit “luftëtarë të rezistencës” që përpiqen të mbrojnë tokën dhe popullin e tyre. Hamasi konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Këto dhe komente të tjera të ngjashme kanë revoltuar politikanët në mbarë spektrin në Gjermani. Kancelari Scholz i ka përshkruar si “absurde” akuzat e zotit Erdogan ndaj Izraelit.

“Nuk është sekret se kemi pjesërisht pikëpamje shumë të ndryshme për konfliktin aktual”, tha zoti Scholz gjatë një konference të shkurtër shtypi përkrah zotit Erdogan, përpara se të mbaheshin bisedimet. Por, “në veçanti në momente të vështira, duhet të flasim drejtpërdrejt me njëri-tjetrin”.

“Sulmi i Hamasit do të thotë se Izraeli duhet të vetëmbrohet dhe duhet ta ketë këtë mundësi”, tha ai. “Nuk mund të vazhdojë një organizatë terroriste që qeveris këtë rajon, të ndërmarrë aktivitete të tilla nga atje në mënyrë të përsëritur, me forcë të pabesueshme ushtarake. Kjo duhet të marrë fund dhe ky është një objektiv që duhet mbështetur – ne në çdo rast e mbështesim”.

Njëkohësisht, zoti Scholz tha se është e rëndësishme “të bëhet gjithçka për të mbajtur sa më të ulët numrin e viktimave ndër civilët”, dhe theksoi se “vuajtjet e popullsisë civile palestineze në Gazë na pezmatojnë edhe neve”.

Zoti Scholz tha se Turqia dhe Gjermania i druhen një zgjerimi në rajon të konfliktit, dhe se do të shqyrtojnë se si ta parandalojnë atë.

Ndërsa Kancelari Scholz përsëriti kërkesën për pauza në luftime, Presidenti Erdogan tha se: “Nëse do të mund të vendosim së bashku me Gjermaninë një armëpushim humanitar, do të kemi mundësinë që ta shpëtojmë rajonin nga ky rreth flakësh”.

“Deri më tani, 13 mijë palestinezë, fëmijë, gra dhe të moshuar janë vrarë”, tha ai. “Nuk ka më pothuajse një vend të quajtur Gazë; çdo gjë është shkatërruar”.

Zoti Erdogan sugjeroi se Gjermania nuk mundet ta kritikojë Izraelin për shkak të Holokaustit.

“Unë flas lirisht pasi nuk i kemi gjë borxh Izraelit. Nëse do t’i kishim borxh, nuk do të flisnim dot lirisht”, tha ai. “Ata që janë në borxh nuk flasim dot lirshëm. Ne nuk përjetuam Holokaustin dhe nuk gjendemi në një situatë të tillë”.

Izraeli tërhoqi diplomatët nga Turqia muajin e kaluar, pasi zoti Erdogan akuzoi Izraelin për krime lufte. Më vonë edhe Turqia tërhoqi ambasadorin nga Izraeli.

Një tjetër burim i mundshëm tensioni u shfaq përpara vizitës së të premtes kur Ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, tha se Turqia synon të blejë 40 avionë luftarakë Eurofighter Typhoon, por se Gjermania po pengonte shitjen e këtyre avionëve, që prodhohen nga Gjermania, Britania, Spanja dhe Italia.

Zoti Guler u tha anëtarëve të komisionit të mbrojtjes së parlamentit turk se Spanja dhe Britania mbështesin shitjen e avionëve Turqisë dhe se po punojnë për të bindur Gjermaninë.

“Gjermania mundet t’i shesë, ose jo”, tha zoti Erdogan të premten. “A është Gjermania vendi i vetëm që prodhon avionë? Ne mund t’i blejmë nga shumë vende të tjera”.

Kancelari Scholz nuk foli për këtë çështje, dhe po kështu vepruan edhe zyrtarët e tjerë gjermanë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...