Imazhet e postuara në rrjetet sociale janë tronditëse po aq dhe prekëse të pengjeve të liruara nga Hamasi që janë ribashkuar me familjet e tyre. Më herët gjatë ditës së sotme janë publikuar fotot e dy të moshuarave që janë bashkuar me familjet e tyre, konkretisht 85-vjeçares Yafa Adhar dhe 78-vjeçares Margalit Moses.
Pak më parë Spitali i Fëmijëve Schneider ku u transferuan disa nga pengjet izraelitë të liruar nga Hamasi, postoi në Facebook një foto të 5-vjeçares Emilia Aloni duke përqafuar gjyshen e saj pas 49 ditësh, në duart e Hamasit.
Emilia dhe nëna e saj Daniel u mbajtën peng në Rripin e Gazës për 49 ditë.
Të dy ishin duke vizituar motrën e Danielle dhe familjen e saj në Kibbutz Nir Oz më 7 tetor, kur ata u rrëmbyen gjatë sulmit nga grupi terrorist Hamas. Sharon Aloni Cunio, 33 vjeç, dhe bashkëshorti i saj David Cunio, 34 vjeç, dhe vajzat e tyre binjake trevjeçare, Julie dhe Emma, janë ende peng në Gaza.
Edhe 9-vjeçari Ohad Munter u ribashkua me familjen e tij. Ai së bashku me nënën e tij Keren dhe gjyshen Ruth janë kthyer ditën e djeshme në Izrael.
Një foto e ribashkimit të tij me të atin dhe të afërmit u publikua gjithashtu nga spitali.