Prokurorët federalë amerikanë kërkojnë maksimumin e dënimit për agjentin e diskredituar të FBI, Charles McGonigal. Mediat amerikane raportojnë se bëhet fjalë për atë që njihet si dosja ruse e Charles McGonigal.
Sipas portalit ‘Law’, prokurorët kërkuan dënimin e tij me 5 vite burg, që është dënimi maksimal i disponueshëm sipas ligjit.
Prokurorët thanë se McGonigal ka abuzuar me besimin e publikut dhe i kërkuan një gjykatësi federal, dënimin e tij me 5 vite burg.
McGonigal akuzohet se ka ndihmuar oligarkun rus Oleg Deripaska për të shmangur sanksionet amerikane ndaj tij. Po ashtu, McGonigal ka punuar që një rival biznesi i Deripaskës të përfundojë në listën e zezë të sanksioneve amerikane.
Vetë McGonigal e ka pranuar fajin dhe ka deklaruar se ka punuar për të futur njerëzit në listën e sanksioneve amerikane.
Dënimi për të pritet që të jepet më 14 dhjetor.
Ndërkohë që McGonigal ka pranuar fajin edhe për dosjen shqiptare, ku i implikuar është kryeministri shqiptar, Edi Rama. Dënimi për këtë rast do jepet në fillim të vitit tjetër.