Donald Trump ka deklaruar se do të vendosë tarifa të tjera mbi mallrat kineze nëse zgjidhet sërish President i SHBA-së. Në një intervistë për Fox News, ai tha se këto tarifa duhet të jenë mbi 60%.
“Duhet ta bëjmë këtë”, tha ai gjatë një interviste për Fox News të dielën.
Trump është kandidati kryesor për Partinë Republikane, megjithatë po haset me disa akuza penale, ndër to edhe përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Por ai i ka mohuar të gjitha akuzat.
Trump njihet për akuzat ndaj Kinës për praktika të padrejta tregtie dhe vjedhje të pronës intelektuale.
“Kuptoni, dukshëm nuk po kërkoj të lëndoj Kinën. Unë dua të shkojmë mirë me të. Por ata me të vërtetë kanë përfituar nga vendi ynë”, tha Trump.
Gjatë presidencës së tij, Trump nxiti një luftë tregtie mes dy ekonomive më të mëdha pasi vendosi tarifa me vlerë miliarda dollarë mbi mallrat kineze. Administrata e tij i vendosi tarifat në 2018 me qëllim që të frenonin importet kineze. Kjo politikë u zgjerua edhe për mallrat që varionin nga ushqimet e detit e deri tek kimikatet.
Edhe Pekini zyrtar u përgjigj me taksa për importet amerikane duke përfshirë sojën, grurin dhe shpendët.
Sa i përket administratës aktuale të presidentit Joe Biden,ai i ka mbajtur tarifat pa ndryshuar pavarësisht kritikave se kjo ka ndihmuar në rritjen e çmimeve dhe e ka bërë ekonominë e SHBA-së më pak konkurruese. SHBA-ja ka qenë tregu më i madh i eksportit të Kinës për më shumë se dy dekada.
Megjithatë frenimi i lidhjeve ekonomike SHBA-Kinë po fiton mbështetje mes ligjvënësve republikanë dhe demokratë. Një raport i fundit i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve rekomandoi tarifa më të larta për importet nga Kina dhe kufizime për investimet kineze në SHBA.