Vdekja e papritur e Navalny, 47 vjeç, ishte një goditje dërrmuese për shumë rusë, të cilët i kishin varur shpresat për të ardhmen te kundërshtari më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin. Navalny mbeti i fuqishëm me kritikat e tij të pandërprera ndaj Kremlinit edhe pasi i mbijetoi një helmimi me agjent nervor dhe mori dënime të shumta burgimi.
Lajmi bëri jehonë në të gjithë globin dhe qindra njerëz në dhjetëra qytete ruse shkuan në memorialet e ngritura dhe monumentet e viktimave të represioneve politike me lule dhe qirinj të premten dhe të shtunën për të nderuar politikanin. Në mbi një duzinë qytetesh, policia arrestoi 401 persona të shtunën mbrëma, sipas grupit të të drejtave OVD-Info që gjurmon arrestimet politike dhe ofron ndihmë ligjore.
Më shumë se 200 arrestime u bënë në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh i Rusisë, tha grupi. Në mesin e të arrestuarve ishte Grigory Mikhnov-Voitenko, një prift i Kishës Ortodokse Apostolike - një grup fetar i pavarur nga Kisha Ortodokse Ruse - i cili njoftoi planet në mediat sociale për të mbajtur një shërbim përkujtimor për Navalny dhe u arrestua të shtunën në mëngjes jashtë shtëpisë së tij . Ai u akuzua për organizimin e një tubimi dhe u vendos në një qeli mbajtëse në një zonë policore, por më vonë u shtrua në spital me një goditje në tru, raportoi OVD-Info.
Gjykatat në Shën Petersburg kanë urdhëruar 42 prej të arrestuarve të premten të kryejnë nga 1 deri në 6 ditë burg, ndërsa nëntë të tjerë u gjobitën, thanë zyrtarët e gjykatës të shtunën vonë.
Në Moskë, të paktën gjashtë persona u urdhëruan të kryejnë 15 ditë burg, sipas OVD-Info. Një person u burgos gjithashtu në qytetin jugor të Krasnodarit dhe dy të tjerë në qytetin e Bryansk, tha grupi.
Lajmi për vdekjen e Navalny erdhi një muaj para zgjedhjeve presidenciale në Rusi që pritet t'i japin presidentit Vladimir Putin edhe gjashtë vjet të tjera në pushtet.
Pyetjet për shkakun e vdekjes vazhduan të dielën dhe mbetet e paqartë se kur autoritetet do t'ia japin trupin e tij familjes.
Ekipi i Navalny tha të shtunën se politikani ishte "vrarë" dhe akuzoi autoritetet për zvarritje të qëllimshme të dhënies së trupit, me nënën dhe avokatët e Navalny që merrnin informacione kontradiktore nga institucione të ndryshme ku ata shkuan në kërkimin e tyre për të tërhequr trupin.
"Ata po na sjellin rrotull që të mbulojnë gjurmët e tyre," tha të shtunën zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh.