Atentati ndaj Trump, dëshmitari: E njoftova policinë për qitësin, por çuditërisht askush nuk veproi

Diel, 14 July 2024 11:23
 

Një i ri i cili ishte i pranishëm në takimin që po zhvillonte kandidati republikan Donald Trump, ka zbuluar për median se ai kishte paralajmëruar policinë dhe agjentët e Shërbimit Sekret për një person të armatosur në një çati aty pranë, vetëm disa minuta para ish presidenti të qëllohej.

Dëshmitari, i njohur si Greg, tha për BBC-në se pa vrasësin të ngjitej në çatinë e një ndërtese në Butler, Pensilvani dhe u habit nga mungesa e veprimit nga oficerët.

 

‘Po mendoja, pse Trump po fliste ende, pse nuk e  kanë larguar nga skena? Më pas, u dëgjuan 5 të shtëna.’

Madje, zyrtarët policorë kanë konfirmuar se nuk e kanë vënë re praninë e të dyshuarit në çati. Oficerët më pas u ngjitën në çatinë ku ndodhej personi i armatosur.

Dëshmitari, i cili është një mbështetës i Trump, tha për BBC-së se si e pa personin e armatosur duke u përgatitur për të qëlluar ndaj kandidatit për president.

Mbështetësit e tjerë gjithashtu e panë atë në çati për tre ose katër minuta pa u ndërmarrë asnjë veprim nga agjentët, tha ai.

‘Ne vumë re një djalë në çatinë e ndërtesës pak metra larg nesh. Ai kishte një pushkë, ne mund të shihnim qartë se kishte një pushkë. Kur u pyet nëse ishte i sigurt se të shtënat erdhën nga njeriu në çati, mbështetësi i Trump u përgjigj: ‘100%, 100%.

Pak çaste më vonë, agjentët e Shërbimit Sekret u dëgjuan duke bërtitur ‘qitësi u rrëzua’. Agjencia konfirmoi se ngjarja po hetohet si tentativë për vrasje.

Dëshmitari tha se agjentët ndoshta nuk mund ta shihnin sulmuesin, pasi forma e çatisë mund të kishte penguar shikimin e tyre.

Login to post comments