Donald Trump ka votuar në Florida, ndërsa synon rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai mbërriti për të votuar në Palm Beach pranë shtëpisë së tij, së bashku me bashkëshorten, Melania.
Me kapelën e kuqe të njohur MAGA, ish-presidenti ndaloi për të folur për mediat dhe deklaroi: “Kam qenë shumë i nderuar që kam kuptuar se linjat janë të gjata, linjat konservatore, ato republikane janë shumë të gjata.”
Trump shtoi se ai dhe bashkëshortja u kthyen në Florida “shumë vonë mbrëmë” pas “katër mitingjeve të pabesueshme” dhe theksoi: “Kam dëgjuar se po ia dalim shumë mirë.”
Kur një gazetar e pyeti se si do t’u qaset votuesve që janë kundër tij, Trump u përgjigj se dëshiron “t’i sjellin të gjithë” dhe se “do të jenë shumë përfshirës.”
“Ne kemi një vend të madh, por një vend që është në telashe. Është në telashe të mëdha në shumë mënyra dhe ne duhet ta rregullojmë atë,” tha ai.
Duke folur për shanset e tij në këto zgjedhje, Trump u shpreh se ndihet “shumë i sigurt” dhe se po hyn në ditën e zgjedhjeve “me një epërsi shumë të madhe.”
“Duket se republikanët janë paraqitur në fuqi, kështu që do të shohim se si do të dalë,” përfundoi ai.