Presidenti rus Vladimir Putin lavdëroi të enjten presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, si një politikan me përvojë dhe inteligjent, por tha se nuk besonte se Trump ishte i sigurt pas tentativave për ta vrarë.
Trump u plagos në një atentat në Pensilvani në korrik. Në një incident tjetër në shtator, një burrë u akuzua për tentativë vrasjeje pasi dyshohet se ishte pozicionuar me një pushkë në një nga fushat e golfit të Trump-it në Florida.
Duke folur për gazetarët në Kazakistan pas një samiti, Putin tha se ishte tronditur nga mënyra se si ishte zhvilluar fushata zgjedhore në SHBA.
Ai përmendi "metodat absolutisht të pacivilizuara të përdorura për të luftuar kundër Trump-it, deri në një tentativë për vrasje, dhe më shumë se një herë".
"Sipas mendimit tim, ai nuk është i sigurt tani," tha Putin.
"Fatkeqësisht, në historinë e Shteteve të Bashkuara kanë ndodhur incidente të ndryshme. Mendoj se ai (Trump) është i zgjuar dhe shpresoj të jetë i kujdesshëm dhe ta kuptojë këtë."
Putin, i cili është vetë i mbrojtur fort, tha se ishte tronditur edhe më shumë nga mënyra se si familja dhe fëmijët e Trump-it ishin kritikuar nga kundërshtarët politikë gjatë fushatës zgjedhore në SHBA.
Ai e quajti këtë sjellje "të neveritshme" dhe tha se në Rusi as "banditët" nuk do të përdornin metoda të tilla.
Duke folur për atë që ai e përshkroi si vendimin e administratës Biden për të përshkallëzuar luftën në Ukrainë duke lejuar Kievin të godasë Rusinë me raketa perëndimore, Putin spekuloi se mund të ishte një taktikë për të ndihmuar Trump-in ose për t'ia vështirësuar jetën me Rusinë.
Gjithsesi, Putini tha se mendonte që Trump-i do ta "gjente zgjidhjen" dhe tha se Moska ishte e gatshme për dialog.