Një aksident i rëndë me autobus ka ndodhur në Korenë e Veriut këtë të hënë. Autobusi ishte me turistë kinezë, i cili ra nga një urë.
Lajmi është dhënë nga qeveria kineze dhe mediat shtetërore të Kinës, të cilët në një njoftim paraprak thanë se aksidenti kishte shkaktuar më shumë se 30 viktima , por më pas ky lajm u fshi. Mediat kineze nuk kanë dhënë të tjera detaje në lidhje me numrin e të plagosurve apo të viktimave, por kanë raportuar se diplomatët kinezë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, në provincën veriore Hwanghae.
Kanali kryesor i televizionit shtetëror në Kinë më vonë transmetoi pamje të një autobusi të rrëzuar ngjyrë blu me rrota në ajër, pamje këto të marra në shi dhe errësirë. Aty u shfaq të paktën një person që po trajtohej në spital, por nuk u dha asnjë hollësi tjetër rreth pasojave.
Në një komunikatë të veçantë, ministria e shëndetësisë e Kinës tha se ka dërguar një ekip ekspertësh mjekësor së bashku me pajisje dhe ilaçe në Korenë e Veriut për të ndihmuar në trajtimin e të mbijetuarve.
Provinca veriore Hwanghae që kufizohet me Korenë e Jugut është pjesë e Kaesong, një kryeqytet i lashtë korean, me shumë turistë. Koreja e Veriut është një destinacion i popullarizuar turistik për kinezët, veçanërisht ata nga verilindja e vendit.