Drejtësia belge ka dënuar me 20 vite burg Salah Abdeslam, të dyshuarin për sulmin e ndodhur në Paris në vitin 2015.
Salah Abdeslam u shpall fajtor për shkëmbimin e zjarrit me oficerët e antiterrorit belg, 4 muaj pas sulmeve gjakatare në kryeqytetin francez.
Shkëmbimi i zjarrit ndodhi në momentin kur policia u paraqit për të kontrolluar në apartamentin e tij, në lagjen Molenbek të Brukselit.
28-vjeçari dhe i akuzuari tjetër, Sofien Ayari, kanë marrë të dy dënime që kanë të bëjnë me akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë, të lidhura me një akt terrorist.
Dy dekada prapa hekurave do të duhet të kaloje edhe Ayari, 24-vjeçari që shtiu mbi policët së bashku me Salahun, kur efektivët mësynë 2 vite më parë apartamentin në Bruksel, ku ata po qëndronin të fshehur.
Vetë Abdeslam mbahet i burgosur në Francë. Ai refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në procesin gjyqësor të Brukselit, e madje nuk ka pranuar të marrë pjesë as në seancat dëgjimore.