Presidenti amerikan Donald Trump reagoi sot në Tweeter lidhur me takimin historik mes dy Koreve, duke shkruar: "Lufta Koreane po merr fund".
Presidentët e dy Koreve ranë dakord të çlirojnë gadishullin nga armët bërthamore, por nuk ofruan asnjë hollësi për hapat që do të merren për të arritur këtë synim. "Shtetet e Bashkuara dhe i gjithë populli i saj i madh duhet të jenë shumë krenarë për atë që po zhvillohet tani në Kore! '' shkruante zoti Trump. "Gjëra të mira po ndodhin, por vetëm koha do të tregojë," shkruante ai të premten në mëngjes.
Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve të së premtes ndërmjet udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, dy vendet konfirmuan synimin e tyre për të siguruar "një gadishull korean të lirë nga armët bërthamore".
Në takimin e parë, në më shumë se një dekadë, të dyja palët thanë se do të kërkojnë një marrëveshje për të vendosur paqen e përhershme dhe të qëndrueshme në gadishull. Bisedimet ndërmjet dy udhëheqësve ishin "serioze dhe miqësore" thanë zyrtarët e Koresë së Jugut.
Jugu citoi udhëheqësin e Koresë së Veriut të ketë thënë se “ne duhet ta vlerësojmë këtë mundësi në mënyrë që plagët midis Jugut dhe Veriut të shërohen".