Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi mund t’u rikthehet sërish posteve të larta publike. E ashtuquajtura Gjykata e Mbikëqyrjes në Milano vendosi të lirojë politikanin italian nga të gjitha efektet e dënimit në ngarkim të tij prej vitit 2013.
Ai kishte edhe një vit për të shlyer nga ai dënim, i shpallur fajtor për shmangie taksash dhe mashtrim me të drejtat e transmetimit të grupit të tij mediatik Mediaset. Dënimi ishte me punë në shërbim të komunitetit, çka sipas vendimit më të fundit të Gjykatës së Mbikëqyrjes, Berlusconi ka dhënë prova efektive dhe konstante të sjelljes së mirë. Vendimi erdhi pas ankimimit që avokatët e Berlusconit i bënë këtij dënimi më 12 mars.
Berlusconi drejton Forca Italian, pjesë e koalicionit të qendrës së djathtë që u rendit forca e parë politike në zgjedhjet e 4 marsit. Por për shkak të këtij dënimi nuk mundi të bëhej pjesë e parlamentit dhe as të shpallte kandidaturën për kryeministër.
Vendimi u përshëndet edhe nga partneri i tij politik Mateo Salvini i Lega Nord, i cili po negocion për formimin e qeverisë së re me Lëvizjen 5 Yjet, që e detyroi Salvinin të hiqte dorë nga përfshirja në koalicionin e ri qeverisës të Forca Italias.