×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Ekonomia globale në rrezik! Kufizimet e tregtisë dhe investimeve, efekte shkatërruese

Diel, 20 May 2018 18:25

Kufizimet e tregtisë dhe të investimeve po përhapen me shpejtësi në mbarë botën, të nxitura nga një kombinim i shqetësimeve mbi sigurinë dhe presioneve proteksioniste.

Në çdo rast, politikëbërësit zakonisht citojnë një justifikim se përse kufizimet e investimeve janë të nevojshme. Por, të marra së bashku, një mori kufizimesh të trashëguara në transaksionet ndërkufitare po rrisin barrën fiskale për bizneset, si dhe po komplikojnë zinxhirin e furnizimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë kërcënuar se do të godasin njëra-tjetrën me tarifa, që përfaqësojnë rreth 300 miliardë dollarë të tregtisë dypalëshe. Kjo “luftë tregtare” mes dy ekonomive më të mëdha në botë ka nisur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth pronësisë intelektuale dhe transfertave të teknologjisë.

Tashmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur tarifa “anti-dumping” ndaj importeve të çelikut, aluminit dhe paneleve diellore nga Kina, duke cituar shqetësimet rreth tregtisë së padrejtë.

Në anën tjetër, Kina është kundërpërgjigjur, duke vendosur tarifa shtesë ndaj produkteve që importohen nga SHBA dhe kërcënoi se në këtë listë do të futen edhe produkte të tjera. Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime për sigurinë mbi pajisjet e telekomunikacionit që prodhohen nga kompania kineze, “Huawei“ dhe kanë kërkuar përjashtimin e kësaj kompanie nga tregu amerikan.

Sanksione dhe tarifa për shumë vende

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar licencat e eksportit që lidhen me kompaninë tjetër kineze të telekomunikacioneve “ZTE“, ndërsa Britania ka paralajmëruar se, nuk do të instalojë më asnjë pajisje të “ZTE“ në rrjetin kombëtar. “ZTE“ është akuzuar se nuk ka respektuar sanksionet ndaj Iranit dhe Koresë së Jugut, duke i furnizuar këto vende me pajisje të ndryshme. Ka edhe shqetësime të tjera se, pajisjet e kësaj kompanie përdoren për spiunazh dhe luftë kibernetike. Qeveria amerikane ka premtuar se do të kufizojë investimet dhe blerjet nga kompanitë kineze në territorin e SHBA, në sektorë të ndjeshëm të teknologjisë. Komiteti për Investimet e Huaja në SHBA, tashmë ka filluar një shqyrtim të gjerë të transaksioneve, ku janë të përfshira kompanitë kineze. Në anën tjetër, autoritetet “antitrust” në Kinë kanë filluar të ngadalësojnë aprovimet për bashkimin e kompanive perëndimore që veprojnë në tregun kinez. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur me sanksione kompanitë dhe individët në Rusi. Në shumë raste, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione dytësore, të cilat zbatohen jashtë territorit dhe kanë për qëllim të godasin transaksionet e bizneseve. Bashkimi Europian ka zbatuar sanksionet e veta ndaj Rusisë, megjithëse në përgjithësi është përmbajtur nga aplikimi i këtyre sanksioneve jashtë territorit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian po shikojnë mundësitë për të rikthyer sanskionet ndaj Iranit, për shkak të programit të raketave balistike dhe aktiviteteve të cilësuara të paligjshme në rajon. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Kina dhe vende të tjera kanë vendosur sanksione ndaj Koresë së Veriut për shkak të prodhimit të armëve bërthamore. SHBA po përgatit sanksione shtesë edhe ndaj Venezuelës. Ky entuziazëm për të vendosur sanksione po përhapet në të gjithë botën. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërmarrë një bojkot ekonomik ndaj Katarit. Sanksionet përfaqësojnë një rrugë me kosto të ulët, për të shkaktuar dhimbje ekonomike ndaj një kundërshtari. Rezultati është një rritje e ndjeshme e sanksioneve industriale komplekse, të kryesuara nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja e Thesarit Amerikan, shërbimet e sigurisë dhe nga rregullatorët financiarë në SHBA dhe BE. Sanksionet industriale komplekse përfshijnë gjithashtu një numër në rritje të firmave të pajtimit të specialistëve.

Të gjithë kundër globalizimit

Që nga viti 1945, sidomos pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, qëllimi kryesor i politikëbërësve ka qenë hapja më e madhe e vendeve për tregti dhe investime. Heqja e barrierave tregtare dhe të investimeve u finalizua nga tetë raunde negociatash të suksesshme tregtare, sipas Marrëveshjes së Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë, që kulmuan me bisedimet në Uruguai në periudhën 1986-1994. Por, shtrirja e liberalizimit ka ngecur gjatë viteve të fundit, për shkak të dështimit për të përfunduar marrëveshjet multilaterale tregtare, për pothuajse një çerek shekulli. Për këtë arsye, çështja e globalizimit mund të jetë anashkaluar, pasi barrierat tregtare dhe të investimeve po rriten, në vend që të ulen. Liberalizimi, hapja ndaj tregtisë dhe investimet ndërkufitare kanë pak “mbrojtës” brenda klasës politike në SHBA dhe BE. Politikanët dhe sindikatat e majta fajësojnë liberalizimin e tregtisë për rënien e pagave dhe të të ardhurave në ekonomitë e zhvilluara. Ndërsa politikanët e djathtë frikësohen se, liberalizimi, investimet dhe transfertat teknologjike po forcojnë kundërshtarët potencialë. Ekspertët e sanksioneve, rregullatorët financiarë, agjencitë e inteligjencës dhe specialistët e politikave të jashtme, gjithnjë e më shumë po përdorin kufizime për tregtinë dhe investimet, si instrument të politikave të tyre. Mekanizmat tradicionalë për zgjidhjen e çështjeve tregtare në Organizatën Botërore të Tregtisë, nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur kufizimet aktuale, si siguria kombëtare dhe politika e jashtme.

Impakti në ekonomi

Duke lënë mënjanë faktin se sa të justifikuara janë vendimet e individëve për të vendosur tarifa apo kufizime, problemi më i madh dhe shqetësimi kryesor është impakti në ekonominë globale i këtyre barrierave. Procesi i hapjes së ekonomive, nëpërmjet tregtisë dhe investimeve cilësohet si një ndër arsyet kryesore që përmirësoi eficencën dhe rriti standardin e jetesës, pas viteve 1945. Politikëbërësit në të gjithë botën po ndërmarrin gjithmonë e më shumë kufizime për tregtinë dhe investimet për shumë arsye, duke filluar nga arsyetimi për të rritur pagat, mbrojtja e sektorëve strategjikë dhe shqetësimet për sigurinë kombëtare. Por, entuziazmi i tyre për të vendosur barriera tregtare dhe për investimet kërcënon themelet e sistemit ekonomik global të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të ketë më shumë pasoja sesa të mira për ekonominë globale.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...