Në juglindje të Norvegjisë, arkeologët thanë se kanë gjetur gjurmët e një anije Vikinge të varrosur, një zbulim i rrallë që mund të nxjerrë në dritë ekspeditat e lundrimit të aftë në mesjetë. Forma e anijeve u zbulua rreth 50 centimetra nën tokë me përdorimin e një radari, në një tumë, në Halden, një komunë e vendosur në juglindje të Oslos.
“Në mes të gropës, ne zbuluam atë që quhet anomali, diçka që ndryshon nga pjesa tjetër dhe dukshëm ka forma dhe përmasa të një anijeje Viking”, -tha Knut Paasche, një arkeolog në Institutin Norvegjez për Kërkimin e Trashëgimisë Kulturore (NIKU), për AFP. “Ajo që nuk mund të themi me siguri është gjendja e ruajtjes së saj. Ka pasur një varkë atje, por është e vështirë të thuhet se sa ka mbetur prej saj”.
Vikingët, luftëtarë dhe tregtarë të Europës Veriore që lundronin deteve midis shekullit të 8-të dhe 11-të, i varrosnin mbretërit dhe drejtuesit e tyre në bordin e një varke të ngritur nën tokë dhe i mbulonin. Vetëm tre anije Viking janë zbuluar në gjendje të mirë në Norvegji, duke përfshirë anijen e Osebergit të ruajtur mirë në vitin 1903. Të tre anijet janë ekspozuar në një muze afër Oslos.
“Ne kemi nevojë për më shumë zbulime për të shpjeguar se si këta anije dukeshin dhe si lundronin Vikingët”, – tha Paasche. Anija ishte rreth 20 metra e gjatë, duke e bërë atë potencialisht një nga anijet më të mëdha të Vikingëve të zbuluar në Norvegji, sipas NIKU. Instituti thotë se tani po shqyrton çfarë të bëjë me zbulimin, por përjashtoi një gërmim tjetër në këtë kohë të vitit.