Mamaja ime pëlqen të ulet këmbëkryq mbi divan, të rregullojë syzat mbi hundë dhe të vazhdojë të shohë iPhone-in.
Nuk e di nëse komenton fotot familjare të ndonjë të njohure, luan “Candy Crush” apo nëse i jep pëlqim ndonjë “meme-je” me titull: “Parashikimi për sonte, 99% gjasa që të ketë reshje vere të kuqe”, por e di që nuk është hera e parë që e kap kështu.
Babai zgjedh fjalinë tipike “Ja, një sekondë dhe erdha”, të cilën ta jep me një shprehje tepër serioze në fytyrë, teksa shtyp dhunshëm ekranin e telefonit. Tashmë kam mësuar se kjo fjali do të thotë që duhet ta lë të qetë për nja 10 minuta. Sado që nuk e pranojnë, të dy prindërit e mi kanë krijuar varësi ndaj telefonave, po aq sa dhe unë.
Kur kemi qenë të vegjël, na kujtonin shpesh se të rinjtë ishin mosha që ndikohej më shumë nga teknologjia. Ishim “klubi anti-shoqëror”, ata që më të lehtë e kishin t’u dërgonin një SMS miqve që kishin në dhomë, sesa t’i shihnin në sy. Ne jemi të lindurit e epokës dixhitale, ata që e masakrojnë gjuhën ngaqë përdorin figura “emoji” kur duan t’i bëjnë të ditur dikujt që e pëlqejmë, në vend që t’ia shprehim me fjalë. Jemi “brezi i heshtur”, që nuk dimë të flasim me dikë në telefon, sepse telefonatat janë shumë të sikletshme. Edhe pse shpesh e gjej veten te këto studimet e pafundme që na tregojnë nivelin që ka arritur varësia ndaj rrjeteve shoqërore, apo se si kjo varësi po na kthen në “lugetër” të teknologjisë, të paktën duhet ta pranojmë që s’jemi më vetëm ne të rinjtë të prekur.
Është rritur numri i nënave të Instagramit që postojnë pa fund foto bebesh, duke vënë në dukje se kanë një stil jete që duket (çuditërisht) shumë i rregullt, dhe i shpërndajnë me hashtag #ndjenjamamaje.
Është rritur edhe numri i 55-vjeçarëve që kanë nisur të pushtojnë Facebook-un, ku kujdesen për profilet e tyre. Quhen “Brezi i Nënave në Facebook”, një numër i madh prindërish që po angazhohen aq shumë në Facebook, sa po largojnë të rinjtë që s’duan të enden virtualisht në të njëjtin vend ku mamatë postojnë ato “selfiet” e sikletshme, duke pirë “xhin tonik” gjatë pushimeve.
Shumë prej atyre që janë rritur në vitet 2000 kanë nisur ta braktisin Facebook-un, kryesisht prej tejmbushjes së faqes së parë me lajme të rreme, me video qesharake qensh e “meme” të stër-përsëritura. Por prindërit tanë duket se po e shohin këtë platformë si një mënyrë të mirë për të ndjekur shoqërinë e vjetër të shkollës, e madje, paradoksalisht, (të paktën në rastin e mamasë sime), për të parë se çfarë po bëjnë fëmijët, meqë kanë kohë që nuk i marrin në telefon.
Kanë hyrë pak me vonesë, por prapë po dynden në turma të mëdha, aq sa Facebook pret që pjesa më e madhe e anëtarëve të rinj që janë regjistruar sivjet të jenë rreth moshës 55-vjeçare. 500,000 mendohet se janë regjistruar vetëm këtë vit në Britani.
Ndonëse e gjitha kjo mund të mos ketë ndonjë gjë të keqe, e ndoshta mund të shihet edhe pak me humor, studimet më të fundit kanë treguar se varësia e prindërve ndaj teknologjisë ka ndikuar për keq te sjellja e fëmijëve.
Sipas studimit, 40% e nënave dhe 32% e baballarëve pranojnë se kanë një lloj varësie ndaj telefonit. Kjo ka bërë që të ulet niveli i bisedimeve që bëhen brenda familjeve, dhe tani ka më pak nëna që të nxisin fëmijët e tyre gjatë rritjes.
“Teknoferencë “ është termi që përdoret për të përshkruar rrymën gjithnjë e më në rritje të atyre që zgjedhin ta largojnë vëmendjen nga njerëzit që kanë rrotull e të përqendrohen te telefonat. Kjo po shkon përtej miqve tani, po futet edhe në jetën familjare. Dhe me “jetë familjare” dua të them që s’janë vetëm adoleshentët e fëmijët të fiksuar pas telefonave, por edhe prindërit, të cilët tani po bashkohen me atë “grupin antishoqëror”. Por çfarë pasojash do të kemi, po të mos përballemi në kohë me këtë problem? Dhe pse nuk duam ta pranojmë që e kemi këtë problem? Të gjitha shenjat janë të dukshme.
S’e mohoj dot që mërzitem kur marr atë fjalinë “ja, edhe një sekondë dhe erdha” nga prindi im, kur unë dua t’i bëj vetëm një pyetje të thjeshtë. Dalja nga dhoma për të pritur sa të mbarojë babai atë “punën me rëndësi” (lojën Farmville), po kthehet në normalitet.
Duhet ta dini se të dëshirosh të largohesh për pak çaste nga fëmijët që të stërmundojnë, të dëshirosh të rrish deri vonë duke u endur nëpër “Twitter”, është diçka mëse normale. Ne, fëmijët tuaj, e dimë se sa varësi të krijon dhe se sa e vështirë është të shkëputesh. Por para se të na qortoni e të na thoni “hiqe atë telefon nga tryeza”, apo të na përmendni statistika që tregojnë se sa të dëmshme janë rrjetet shoqërore për ne, ndoshta duhet të jepni shembullin e mirë e të shihni se sa kohë shpenzoni në telefonat tuaj, dhe se si po ndikohen fëmijët nga kjo, bashkë me marrëdhënien që keni me ta. Ndoshta kështu mund të marrim mundimin që ta luftojmë këtë ves të gjithë bashkë.
Sophia Ankel, the Guardian